SPORT

Statistikat e Valverdes: Me të, Barcelona e kryesoi La Ligën në 81 xhiro nga gjithsej 95

Roma, Liverpooli dhe Xheda e vulosën fatin e Ernesto Valverdes si trajner të Barcelonës. Dy eliminimet dramatike në Ligën e Kampionëve kundër Romës dhe Liverpoolit dhe humbja në Xheda të Arabisë Saudite kundër Atletico Madridit në Superkupën e Spanjës mbeten kujtimet më freskëta në mendjen e tifozëve për periudhën e Valverdes.

Përveç disa momenteve zhgënjyese dhe të debakëlve, trajneri spanjoll do të mbahet mend edhe për konsistencën e tij mbresëlënëse në krye të Barcelonës.

Ai e lë Barcelonës në krye të tabelës së La Ligës, pasi e fitoi titullin e këtij kampionati në dy sezonet paraprake, sa ishte në drejtim të skuadrës katalonase. Kjo do të thotë se ai e mbajti Barcelonën në krye të njërës ndër ligave më të mëdha në botë për dy vjet e gjysmë.

Nga gjithsej 95 xhirot e La Ligës sa Valverde ka qenë trajner në Camp Nou, Barcelona ka qenë liderë në 81 prej tyre.

Sa i përket golave, skuadra e Valverdes i ka shënuar 238 (2.5 për ndeshje) dhe i ka pranuar 88 (0.92 për ndeshje) në La Liga.

As rekordi i tij në Kupën e Mbretit nuk është i dobët. Barcelona e arriti finalen në dy sezonet sa Valverde ishte trajner, duke e fituar në të 2018-tën kundër Sevillas e pastaj duke humbur në të radhës kundër Valencias.

Dështimi i madh i Valverdes ishte në Ligën e Kampionëve, ku disfatat turpëruese kundër Romës dhe Liverpoolit ia dëmtuan më së shumti reputacionin.

Goditja e fundit për të erdhi në Xheda të Arabisë Saudite, ku Barcelona e shpërdoroi një tjetër epërsi, këtë herë në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës kundër Atletico Madridit.

Valverde e lë Camp Noun pas 145 ndeshjeve si trajner i Barcelonës, prej të cilave i ka fituar 97, i ka barazuar 32 dhe i ka humbur 16.

Leave a Reply

Your email address will not be published.