Kosova

Stano: Presim që dialogu Kosovë-Serbi të fillojë në një moment të përshtatshëm

Me krijimin e institucioneve të reja në Kosovë, Bashkimi Evropian pret që të rifillojë dialogu me Serbinë.

Zëdhënësi i politikës së Jashtme të BE-së, Peter Stano në një përgjigje për RTV Dukagjinin, pasi ka uruar Kosovën për krijimin e institucioneve të reja, ka kërkuar rifillim të dialogut Kosovë-Serbi.

“Ne e mirëpresim zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës dhe i shprehim urimet tona Vjosa Osmanit. Përgëzojmë angazhimin konstruktiv të një numri deputetësh të opozitës që mundësuan që procesi zgjedhor të përfundonte. Kosova tani mund të përqendrohet në punët e rëndësishme të saj. Ajo duhet të çojë përpara reformat që lidhen me anëtarësimin në BE dhe procesin e dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja”, deklaroi Peter Stano për RTV Dukagjinin.

Profesori universitar Seb Bytyqi, thotë se dialogu do të fillojë, por sipas tij me ritme shumë të ngadalta.

“Në Kosovë dialogu nuk është prioriteti numër një. Në Serbi Vuçiqi ka probleme të brendshme ku kanë dalë akuza për lidhje të tij me krim të organizuar”, deklaroi Seb Bytyçi, përcjell Telegrafi.

Edhe shefi i diplomacisë Evropiane Borrel ka thënë se Kosova duket ta ketë në fokus edhe dialogun me Serbinë./Telegrafi/