Kosova

Gruaja e Rexhep Selimit: Do jem shembull e motiv që të rinjtë të mos e braktisin Kosovën

Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, është deklaruar pasi emri i saj figuron në listën e Lëvizjes Vetëvendosje si kandidate për deputete në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ajo ka thënë se ndihet e nderuar që është pjesë e kësaj liste.

“Sikur secili në listën e 110 kandidatëve për deputet nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, jam e nderuar që të jem pjesë e këtij projekti në rrugën e angazhimit tonë te përbashkët për një shoqëri të drejtë dhe komb të përparuar. Me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në udhëheqje të qeverisë dhe si shumicë parlamentare në Kuvendin e Kosovës, angazhimi për realizimin e aspiratave të brezave, do të jetë edhe vullnet dhe detyrë e imja parësore”, shkruan Mehmeti-Selimi.

Më tej tha se do të jetë shembull e motiv që të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi ta duan dhe ta ruajnë vendin e tyre duke u angazhuar dhe duke mos e braktisur atë.

“Ashtu sikur dikur si luftëtare e Lirisë me bashkëluftëtarë, po ashtu edhe sot me bashkaktivistë në Lëvizje, sot nesër e kurdoherë do të jem në shërbim të vendit dhe të interesave tona kombëtare e shoqërore.

Le të jemi shembull dhe motiv që të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi ta duan dhe ta ruajnë vendin e tyre duke u angazhuar dhe duke mos e braktisur atë.

Fitorja dhe suksesi i Lëvizjes sonë është tashmë më shumë sesa shpresë, është një realitet që me 14 shkurt do të jetë edhe festë e fitores së re”, shkroi ajo në llogarinë e saj në Facebook.

17 janar 2021Sikur secili në listën e 110 kandidatëve për deputet nga Levizja VETËVENDOSJE!, jam e nderuar që të jem…

Posted by Shqipe Mehmeti Selimi on E Diele, 17 Janar 2021