Kombëtare

Edhe mbi 7,000 vaksina Pfizer/BioNTech arrijnë në Shqipëri

Edhe 7,200 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech arritën në Shqipëri, njoftoi të hënën kryeministri i këtij vendi, Edi Rama.

Në një postim në Facebook, Rama paralajmëroi se në ditët në vijim do të arrijnë edhe doza të tjera të kësaj vaksine, si dhe të vaksinave AstraZeneca, Sinovac dhe Sputnik.

Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca janë zhvilluar nga kompanitë farmaceutike në Perëndim, ndërsa Sinovac dhe Sputnik janë zhvilluar në Kinë, përkatësisht Rusi.

“Ajo që dukej e pamundur deri para vetëm dy muajsh, po ndodh para syve tanë çdo ditë. Shqiptarët po vaksinohen masivisht dhe Shqipëria po del nga tuneli i gjatë i pandemisë, për t’iu kthyer me të gjitha fuqitë jetës, e për të rritur ekonominë e saj, duke filluar nga sezoni turistik, e vijuar me paketën më të madhe në histori të investimeve të huaja, po edhe vendase, private e publike”, shkroi Rama në Facebook.

Shqipëria ka filluar vaksinimin kundër koronavirusit në fillim të muajit janar, duke u dhënë përparësi punonjësve shëndetësorë.

Më 28 mars, ndërkaq, ka nisur vaksinimin masiv, fillimisht në Tiranë, për të vazhduar më pas në qytete të tjera.

Shqipëria ka kontratë me kompaninë amerikane Pfizer për sigurimin e mbi 500,000 dozave të vaksinës së saj, të cilat dorëzohen gradualisht.