Kombëtare

Spitali i Pejës rrit masat e sigurisë për mbrojtjen e stafit dhe pacientëve nga koronavirusi

Në hapësirën mes Urgjencës dhe pjesës tjetër të objektit, Spitali i përgjithshëm në Pejë, të martën, ka ngritur një tendë për pacientët e dyshuar që mund të jenë të infektuar me koronavirus.

Zëdhënësi i këtij spitali, Naim Sahiti, tha për Kohën, se në këtë tendë do të kontrollohen nga personali mjekësor personat e dyshimtë me koronavirus.

“Kur vjen një pacient me simptoma te dyshimta, se pari futet në tendë. Kjo është masë për parandalimin e infektimit të mundshëm të stafit mjekësor të spitalit dhe pacientëve në spital. Nëse konstatohet ndonjë rast si rast i dyshimtë, ai pacient transportohet menjëherë për Klinikën Infektive në Prishtinë. E në rast se mbushen kapacitetet në Klinikën në Prishtinë, atëherë pacienti shtrihet këtu në spital”, thotë Sahiti.

Spitali i Pejës është i përgatitur për rastet e mundshme, pasi në Repartin Infektiv është izoluar një hapësirë 2-dhomëshe me të gjitha pajisjet e nevojshme. Sahiti tha se sipas nevojës, janë edhe katër dhoma tjera në Spitalin e Mushkërive, që mund të shtohen për këto raste.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.