Kombëtare

Spitali i Gjilanit detyrohet nga buxheti vetanak të sigurojë bombola oksigjeni

Me rritjen e numrit të pacientëve me oksigjeno terapi në Spitalin Rajonal të Gjilanit është rritur edhe nevoja për më shumë bombola oksigjeni.

Drejtori i këtij spitali, Nisret Hajrullahu, thotë se për shkak të kërkesës së madhe janë detyruar që me burime vetanake të blejnë bombola oksigjeni.

“Operatori i cili ka qenë i kontraktuar në nivel të shërbimeve spitalore të Kosovës ka pasur një kapacitet të kufizuar të furnizimit të spitaleve me bombola oksigjeni. Së paku kështu është deklaruar vet operatori ekonomikë. Tek ne gradualisht është rritur numri i pacientëve dhe njëkohësisht është rritur nevoja për bombola oksigjeni. Ne nga buxheti vetanak i spitalit kemi siguruar sasinë e nevojshme”, deklaroi për RTV Dukagjinin Nisret Hajrullahu.

Hajrullahu thotë se përkundër këtyre vështirësive asnjë pacientë që po trajtohet në Spitalin e Gjilanit nuk ka mbetur pa shërbim.

“Deri sot ne plotësisht i kemi plotësuar nevojat dhe kërkesat e pacientëve për oksigjen, por na është dashur të blejmë jashtë kontratave që na janë përcaktuar”, shtoi më tej Hajrullahu, përcjell Telegrafi.

Ndryshe në Spitalin e Gjilanit edhe dhjetë pjesëtarë të personalit shëndetësorë janë prekur nga infektimi i COVID-19.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483