Kosova

“Specialja do të ndikojë prej dialogut deri në procesin e integrimeve evropiane”

Eksperti gjerman pranë Këshillit për Politika të Demokratizimit (Democratization Policy Council – DPC), Bodo Weber, sikurse edhe gazetari dhe autori britanik, Tim Judah, pajtohen se Gjykata Speciale – thirrja e së cilës u mor si shkak nga Haradinaj për dorëheqjen nga pozita e kryeministrit – ka pasur dhe do të ketë ndikim në zhvillimet në Kosovë, si dhe në proceset e tjera nëpër të cilat kalon Kosova, prej dialogut deri në procesin e integrimeve evropiane.

Madje, Judah thotë se “një nga tragjeditë më të mëdha” në këtë proces është fakti që gjithçka shkoi tepër ngadalë.

“Ajo që kemi parë me rastin Haradinaj, dhe që do ta shohim me aktakuzat, është se politikanët do të kenë mundësinë që ta kthejnë fokusin nga koha e luftës, çështjet nacionale dhe kështu me radhë, në kohën kur çështjet sociale dhe ekonomike do të duhej të ishin primare”, thotë Judah. “Këto e frenojnë Kosovën dhe rajonin”, shton ai, duke theksuar se në një kohë kur ka rezistencë të shtuar për zgjerimin e BE-së dhe ndryshimet e mëdha gjeopolitike në botë ndikojnë edhe Evropën, “çdo gjë që e frenon rajonin është lajm i keq”, raporton “Koha Ditore”.

Ndërsa Weber, duke u bazuar në informata dytësore, thotë se në dy vjetët e fundit, Gjykata Speciale tashmë ka luajtur një rol kyç në zhvillimet në Kosovë, meqë ekzistimi i saj ka ndikuar në veprimet e disa prej aktorëve kryesorë në vend.

Sipas tij, praktika e Gjykatës për intervista sekrete lë hapësirë të pakufizuar për spekulime.

“Për shembull, nëse dikush u beson apo jo fjalëve se presidenti Thaçi është intervistuar disa herë gjatë vitit të kaluar, duke e mbajtur sekret këtë fakt të pretenduar dhe duke vazhduar me punë si normalisht, derisa kryeministri Haradinaj caktimin e një interviste të tillë e bëri publike dhe e shfrytëzoi si arsye për të dhënë dorëheqje – e cila në të njëjtën kohë krijon hapësirë për manovra të ndryshme politike”, thotë Weber, duke theksuar se në këtë kuptim, “puna e Gjykatës në këtë fazë ka ndikim të paparashikueshëm në aktorët politikë në Kosovë, ndërsa rasti i fundit i caktimit të intervistave ngriti pyetje edhe në qarqet perëndimore rreth asaj nëse Gjykata është e prirë ndaj ndërhyrjeve politike nga aktorë individualë perëndimorë”.

Duke e ndërlidhur çështjen e Gjykatës me dialogun e Brukselit, Weber thekson se “gjëja më e rëndësishme ishte që shtytja dyvjeçare nga presidenti Thaçi për një zgjidhje me këmbim territoresh ka rezultuar me një rezistencë të qartë ndaj ideve të tilla të rrezikshme që u zhvillua tek elitat politike, shoqëria civile, shumica dërrmuese e qytetarëve, përfshirë qytetarët serbë të Kosovës”.

“Kjo do të mbetet, pa marrë parasysh çfarë turbulencash të paparashikueshme që mund të krijojnë në skenën e brendshme politike veprimet e Gjykatës Speciale në të ardhmen”, thotë Weber. “Veç kësaj, kur të kemi një rivendosje të negociatave e edhe në rastin ideal kur Perëndimi të marrë veten dhe t’u kthehet vlerave të veta liberale demokratike, aktorët politikë të Kosovës ende do të jenë të përballur me sfidën që e kishin edhe kur negociatat nisën në korrik të vitit 2017 – të krijojnë një platformë të përbashkët negociuese dhe të veprojnë si një aktor”, konkludon ai.