Bota

Spanja shpall gjendjen emergjente për ta luftuar COVID-19

Spanja ka shpallur gjendjen emergjente të dielën në tentim për të parandaluar shtimin e rasteve me koronavirus. Vendimin e ka bërë të ditur kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, duke vendosur kështu orë policore në rajone që kanë numër të lartë të infeksionit dhe duke ndaluar edhe udhëtimet mes rajoneve në raste të caktuara.

“Ne jemi duke jetuar në një situatë ekstreme…është më seriozja në gjysmë-shekullin e fundit”, ka thënë Sanchez në konferencë për media pas takimit të kabinetit.

Masat hyjnë në fuqi në natën e sotme dhe do të kërkohet nga gjithë rajonet me përjashtim të Ishujve Kanarinë që të vendosin orë policore natën.

Gjendja emergjente do të kërkojë aprovimin në parlament për të zgjatur më tepër se 15 ditë. Sanches i ka kërkuar parlamentit ta aprovojë këtë gjendje deri më 9 maj, shkruan agjencia Reuters.

Një numër i madh i rajoneve i kanë bërë thirrje qeverisë për të marrë masa.

Spanja kishte pasur disa prej kufizimeve më të ashpëra në pranverë, por i zbuti masat në verë.

Por si në shumë shtete tjera evropiane, është duke përjetuar një valë tjetër të koronavirusit. Numri total i rasteve të infeksionit në Spanjë ka arritur në mbi 1 milionë, ndërsa i të vdekurve po i afrohet 35 mijëshit.

Dekreti do t’i shërbejë si kornizë ligjore për të implementuar një sistem të ri të paralajmërimit, i ngjashëm me atë që aplikohet në Gjermani e Francë.

Bazuar në nivelin e rrezikshmërisë, udhëtimet mes rajoneve mund të ndalohen nëse vendos rajoni, me përjashtim të arsyeve të ndryshme siç është vendi i punës. Po ashtu edhe lëvizja mund të kufizohet brenda rajonit.

Shumica e rajoneve e kanë kaluar parametrin që konsiderohet rrezik i lartë.

Holanda ndërkohë po ashtu ka regjistruar rekord ditor të rasteve. Janë regjistruar 10.203 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit.