Kosova

Spanja nuk ndryshon qëndrimin karshi pavarësisë së Kosovës

Greqia, Spanja, Qipro, Rumania dhe Sllovakia janë pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kohëve të fundit, në mediet e huaja është raportuar se Spanja është lëkundur nga qëndrimi i saj kundër pavarësisë së Kosovës dhe se do ta njohë nëse një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë arrihet

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës për lajmi.net kanë thënë se sipas situatës në të cilën jemi aktualisht, Spanja nuk ka arsye ta ndryshojë pozicionin.

Ata, gjithashtu thonë se qëndrimi i tyre karshi pavarësisë së Kosovës nuk është i padrejtë, përkundrazi thonë se është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar.

“Sa i përket pyetjes tuaj, ne ju informojmë se sipas situatës aktuale, Spanja nuk ka asnjë arsye të ndryshojë pozicionin e saj, e që është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar.”, thanë për lajmi.net nga Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës.

Gjithashtu, të pyetur nëse marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të hapë tek autoritetet shtetërore spanjolle mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, nga Ministria e Punëve të Jashtme atje, thonë se e përkrahin dialogun.

Ata nuk japin përgjigje të prerë rreth njohjes ose mos-njohjes së pavarësisë së Kosovës në rast të një arritjes së një marrëveshje midis dy vendeve, por kanë qëndrim më të relaksuar karshi kësaj teme.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës që synon arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike mbi statusin përfundimtar të territorit të Kosovës.”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Spanjës për lajmi.net.

Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës pasi e konsideron atë të shpallur njëanshëm dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Një arsye tjetër e fortë e Spanjës për të mos e njohur Kosovën shtet është sepse ata e shohin si skenarin e njëjtë me Kataloninë.

Sipas raportimeve të medieve të huaja, edhe shtetet e tjera nga pesëshja e Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën do të ndjekin shembullin e Spanjës për njohjen e Kosovës pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

Në anën tjetër, mungesa e njohjes nga këto pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian ka penguar Kosovën në procesin e integrimit dhe në tentimet e saj për anëtarësim në organizata të huaja por edhe për çështjen e liberalizimit të vizave.

Kohë më parë, gjithashtu është raportuar se edhe Greqia ka ndryshuar qëndrimin deri atëherë të betonuar kundër pavarësisë së Kosovës dhe e ka ri-menduar mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.