Kombëtare

SPAK mbyll hetimet për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ngrihen akuza për 6 vepra penale ndaj 2 të akuzuarve

SPAK ka mbyllur hetimet për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2019, duke çuar dosjen në gjykatë për 2 të pandehur. Konkretisht SPAK njofton se në gjykatë janë dërguar Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, nën akuzë për 6 vepra penale.

Sipas SPAK, personat në fjalë akuzohen për vrasje të funksionarëve publikë, në dëm të Arjan Ndojës, vrasje në rrethana cilësuese ku humbi jetën Andi Maloku dhe e mbetur në tentativë kundër Aleksandër Lahos. Ndër të tjera ata akuzohen dhe për mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, grup i strukturuar kriminal si dhe për vjedhje. Kujtojmë që në seancën gjyqësore të zhvilluar në 20 korrik të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën për zbutje të masës së sigurisë për Redjan Rrajan.

Në atë kohë Rraja ka kërkuar nga Gjykata e Lartë që të deklarohej i paligjshëm arrestimi me argumentin se ndalimi është kryer vetëm me iniciativën e prokurorisë. Por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga ana e gjyqtarit Ilir Panda që mori në shqyrtim rekursin e 34-vjeçarit. Megjithatë, vetë Rraja nuk ka pranuar asnjëherë autorësinë në atë atentat, por provat e siguruara nga ana e prokurorisë në makinën e braktisur në Shkafanë të Ishmit kanë faktuar përfshirjen e 34-vjeçarit në ngjarje.

Për këtë ngjarjen si bashkëpunëtor u arrestua edhe Ariol Halilaj. Për Halilajn konkretisht Gjykata e Posaçme për Krimet e Rënda dhe Korrupsionin në 7 maj të vitit të kaluar vendosi masë sigurie burg pa afat me akuzën e bashkëpunëtorit në atentatin kundër prokurorit Ndoja, pasi akuzohet se ndihmoi autorët, mes tyre të arrestuarin Redjan Rraja që të largohet nga vendi i ngjarjes pas atentatit.

I riu ka pranuar para grupit hetimor njohjen me Redjan Rrajën, por ka mohuar pjesëmarrjen në atentat.

Megjithatë, Ariol Halilaj u zbulua nga kamerat e sigurisë, qelizat telefonike se ka qenë pranë vendit të ngjarjes ku autorët lanë makinat pas atentatit dhe që më pas u larguan nga 29-vjeçari, por edhe komunikimet me Rrajën. 

Hetimet 

Referuar dosjes hetimore të SPAK personi i cili dyshohet të ketë qenë në rolin e ekzekutorit, Redjan Rraja që prej fillimit kishte në shënjestër 3 persona, prokurorin e Durrësit Arjan Ndoja, mikun e tij, Aleksandër Laho i njohur me nofkën Rrumi dhe shoferin e familjes Andi Maloku.

Mësohet se Rraja gjithashtu dyshohet se ka krijuar një grup të strukturuar kriminal me qëllim ekzekutimin e tyre. “Autorët kanë pasur në shënjestër të tre personat që udhëtonin në automjet, për faktin se cilësitë e Arjan Ndoja si prokuror ishin të njohura”, thuhet në dosjen hetimore të SPAK.

Po nga dosja hetimore theksohet se, qëllimi i eliminimit fizik të 3 personave të sipërpërmendur, vërtetohet nga përgatitja e autorëve për ngjarjen ku secili prej tyre mësohet të ketë studiuar lëvizjet e të dëmtuarve, si dhe nga fakti që ata qëlluan në drejtim të automjetit të prokurorit me armë zjarri shumë të fuqishme, si automatik model 56, mesa duket organizimi i këtij plani mafioz ka qenë i mirëmenduar. “Intensiteti i sulmit tregon qartë se autorët nuk kanë qenë përzgjedhës në shënjestrën e tyre, por kanë patur objekt automjetin, ku ndodhej prokurori dhe dy personat e tjerë”, thuhet ne dosje.

Më tej, në dosjen hetimore të SPAK rezulton se ish-dentisti i burgut, Rraja ishte në rolin e ekzekutorit, ndërsa Arjol Halilaj ndihmës, për faktin se siguroi automjetin që u përdor dhe largoi nga vendi i krimit atentatorët. Gjithashtu në dosje theksohet se, ekzekutori Rraja gjithmonë ka mohuar lidhjen me krimin, megjithatë një palë syze të gjetura në makinën e braktisur në Shkafanë si dhe një kampion ADN që u përftua në një kapuç janë dy nga provat kryesore të cilat e kanë nxjerrë zbuluar personin në fjalë.