Kosova

Spahija: Kosova shënoi rënie në luftën kundër korrupsionit, politika të heq dorë nga kapja e drejtësisë

Florent Spahija nga KDI ka thënë se Kosova ka shënuar regres në luftën kundër korrupsionit, bazuar në ‘Indeksin e perceptimit të korrupsionit” nga Transparency International.

Sipas këtij indeksi, nga 37 pikë që Kosova kishte vitin e kaluar, këtë vit ka 36 pikë duke u bërë kështu të radhitet e 101-ta nga vendi 93 sa ishte.

Spahija në Express Intervistë të KTV-së thotë se zbritje në ranglistë ka i gjithë Ballkani, derisa ka porositur se politika duhet të heq dorë nga drejtësia e të merret më seriozisht në luftën kundër korrupsionit.

Sipas tij për Kosovën janë pesë raporte të mëdha që jepen nga organizata botërore për sektorë të ndryshme.

“Janë pesë raporte të mëdha. Për Kosovën që është e vogël janë të mjaftueshme pesë raporte. Regresin e kemi parë edhe ne. Të gjeturat i atribuohen fillimisht pavarësisë së sistemit të drejtësisë, luftës kundër korrupsionit dhe prokurimit publik. Janë tri fusha që ne kemi çaluar me vite e po çalojmë edhe tash. Nëse flasim për prokurimin publik ne kemi bërë hap të mirë në hapjen e kontratave por nuk janë hapur të gjitha. Kontratat që kanë vlera të mëdha hezitojnë të hapen. Jo vetëm kontrata është pjesë e rëndësishme por edhe menaxhimi dhe mbikëqyrja, e cila është e dobët në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij, në gjykata dhe prokurori, Kosova është e pasur nga korrupsioni por se nuk ka aktakuza të rangut të lartë për korrupsion.

Spahija thotë se në ligjin për financimin e subjekteve politike ka pasur ndryshime negative.

Ai thotë se në vitin tjetër do të dalim më poshtë për shkak të dështimit të aferës “Pronto”.

“Shpresa e Transparency International ishte te fitorja e Vetëvendosjes, për shkak se tema kryesore që janë marrë është lufta kundër korrupsionit. Nëse në raportin tjetër kemi me pas zbritje ka me qenë liria e medies. Ligji për procedurën kontestimore e lejon publikun dhe qasjen e publikut brenda sepse interesi i publikut është shumë më i madh se sa vetë kodi i etikes”, ka thënë ai.

Sipas tij, lufta kundër korrupsionit dhe mungesa e transparencës janë pika më e dobët e Kosovës.

“Shqipëria ka humb një vend, Serbia është më mirë. Mali i Zi që nga 2012 ka qenë më lart se vendet e rajonit. Bosnja dhe Hercegovina ka degraduar, dy pikë i ka humbur edhe Maqedonia për shkak të aferës së famshme me prokurorin në Speciale”, ka thënë ai.

Ai thotë se niveli i tillë i korrupsionit ka ardhur edhe për shkak të moszhvillimit ekonomik.

Spahija thotë se nga viti 2016 kemi fituar 3 pikë, që sipas tij, ka qenë një nga sukseset më të mëdha të një vendi në botë.

Sipas tij, pozita më e mirë e Kosovës në këtë indeks ka qenë në 2017 me 39 pikë.

“Ndryshimi i qeverisë mund të ndikojnë në perceptimin e korrupsionit. Efekt ka puna që mund ta bëjnë Prokuroria dhe Gjykata. Rekomandimi i jonë është që Kosova të merret më seriozisht me luftën kundër korrupsionit, mos të flasim për akt-akuza të dobëta. Politika të heq dorë nga drejtësia. Politika duhet ta ndalë emërimin në borde publike, duhet të ndalohet nepotizmi në institucione, e t’i ndihmojë bizneseve me u zhvillu”, ka thënë ai.