SHKENCË

SpaceX dhe NASA bëjnë përgatitjet e fundit për lëshimin e raketës në hapësirë

Të mërkurën në mbrëmje është paraparë nisja drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, të dy astronautëve të NASA-s, kolonelit të Marinsave në pension Doug Hurley dhe kolonelit të Forcave Ajrore, Bob Behnken.

Behnken dhe Hurley kanë qenë në karantinë në dy javët e fundit, si një masë paraprake kundër koronavirusit.

Raketa e kompanisë private SpaceX, në pronësi të miliarderit Elon Musk, pritet të lëshohet nga Qendra e Hapësirës Kennedy në Florida.

SpaceX është vendosur të bëhet kompania e parë private që dërgon njerëz në hapësirë.

Nëse fluturimi do të jetë i suksesshëm, ai do të shënojë një moment thelbësor në eksplorimin e hapësirës me hyrjen e parë të një kompanie private, në një fushë, që për shtatë dekada ka simbolizuar fuqinë e një numri të vogël shtetesh.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, do të marrë pjesë në ceremoninë e nisjes së raketës nga Florida.

Trump është duke u përpjekur të riafirmojë sundimin amerikan të hapësirës dhe ka urdhëruar një rikthim në Hënë në vitin 2024.