SPORT

Sot pritet të testohen lojëtarët e Flamurtarit për koronavirus

Te skuadra e Flamurtarit e vlerësojnë të ngutshëm nga Ministria e Shëndetësisë vendimin që t’ua lejojë stërvitjet. Thonë se MSH-ja i ka vënë në rrezik futbollistët, ndonëse deri tash në testet e bëra nuk ka rezultuar asnjë lojtar i prekur me koronavirus. E testimit për koronavirus, futbollistët e Flamurtarit do t’i nënshtrohen të hënën (sot).

Megjithatë, Flamurtari nga Prishtina është një ndër skuadrat që tash e disa ditë ka nisur përgatitjet grupore në stadiumin e Flamurtarit.

Te Flamurtari e vlerësojnë të ngutshëm lejen për stërvitje, sot testohen për koronavirus

Në stërvitjen e klubit “kuqezi” të pranishëm ishin të gjithë lojtarët, të cilët ishin pa maska, por mundoheshin ta ruanin distancën sociale. Që nga pezullimi i aktiviteteve sportive nga muaji mars, ekipi i drejtuar nga trajneri Sunaj Keçi, ka stërvitur në kushte shtëpie me një plan-program të veçantë. Për trajnerin e Flamurtarit, rifillimi i stërvitjeve në këtë kohë pandemie po i duket i ngutshëm. Trajneri prishtinas thotë se në këtë kohë pandemie lojtarët mund ta rrezikojnë shëndetin. Ai ka folur edhe për kohën e përgatitjeve, të cilën e ka cilësuar si shumë të shkurtër pas kësaj pauze dymujore.

“Pak ndoshta ka qenë një vendim i ngutshëm të nisin stërvitjet në këtë kohë pandemie. Por në aspektin fizik të lojtarëve kanë punuar individualisht me një plan-program të veçantë. Kemi kohë edhe dy javë për të përgatitur ekipin dhe kjo varet prej lojtarëve se sa do të jenë të gatshëm. Do të jetë e vështirë pasi që lëndimet e lojtarëve mund të vijnë më lehtë dhe sigurisht që kjo mund të na shkaktojë probleme. Përgatitjet janë duke shkuar mirë, por pres që në këto ditët në vazhdim të rritim edhe më shumë intensitetin”, deklaroi Keçi. Flamurtari që gjendet në pjesën e poshtme të tabelës synon që këtë sezon t’i ikë rënies nga elita.

Për trajnerin e Flamurtarit, këto 11 ndeshje do të jenë sikurse finale për skuadrën e tij. “Synimet e Flamurtarit në këto 11 xhiro të mbetura është t’i ikim fundit të tabelës. Besojmë shumë në këta djelmosha dhe do të përgatitemi maksimalisht për këto ndeshje. Nuk do të jetë e lehtë, por ne besojmë se së bashku mund t’ia arrijmë qëllimit”, potencoi Keçi. Të rrezikshme stërvitjet në grupe po i sheh edhe mbrojtësi i Flamurtarit, Veton Kabashi. Qendërmbrojtësi thotë se ai së bashku me bashkëlojtarët, stafin dhe trajnerët nuk i kanë kryer ende testet për koronavirus…