Kosova

Sot nis verifikimi i listave të kandidatëve për deputetë nga KGJK

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nga sot, ditë e hënë, e deri më 20 janar do t’i verifikojë listat e partive politike që potencialisht mund të kenë kandidatë me dënime të formës së prerë, në tri vitet e fundit.

Në rast se KGJK-ja gjen se persona që kanë kandiduar për deputetë kanë dënime të plotfuqishme, Komisioni Qendror Zgjedhor duhet t’ua refuzojë certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në listat e kandidatëve për deputetë të partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, janë përfshirë disa persona të dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit. Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje janë të dënuar me kusht që nga shtatori i 2018-s për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në seancë të Kuvendit. Milan Aritonoviq nga Lista Serbe është i dënuar me 500 euro gjobë nga gjykata për raportim të rremë të pasurisë si dhe kandidati i Nismës, Besnik Berisha, ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht për “zbulim të fshehtësisë zyrtare” në mars të 2018-s.