Kosova

Sot dihet saktë numri i aplikacioneve nga diaspora

Sot pritet të përmbyllet regjistrimi dhe verifikimi i aplikacioneve të votuesve jashtë Kosovës. Megjithëkëtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka një numër të saktë se sa aplikacione të diasporës janë të konfirmuara.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se të hënën përmes një raporti të detajuar do të dihet saktë për votuesit me postë.

“Shërbimi votues është në përmbyllje e sipër të periudhës së regjistrimit dhe verifikimit të aplikacioneve për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Gjatë ditës së nesërme, e hënë, do të kemi një raport të detajuar se sa është numri i aplikacioneve të cilat janë pranuar deri më 21 janar, sa prej tyre janë aprovuar dhe sa janë refuzuarl”, tha ai.

Krahas kësaj, Elezi bëri të ditur se më datën 2 shkurt për aplikacionet e konfirmuara pritet të fillojë procesi i votimit me postë.

“Të gjithë qytetarët që arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit, pasi kanë plotësuar kriteret ligjore, do të mund të votojnë përmes postës duke filluar nga data 2 shkurt. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 12 shkurt. Po ashtu, nesër do të kemi edhe të dhëna nga qendra e thirrjeve lidhur me verifikimin e aplikuesve përmes telefonimit të tyre dhe se deri ku ka shkuar ky proces”, tha ai.

Këto komente, Elezi i bëri pas një vizite në Qendrën e Thirrjeve të KQZ-së.