SPORT

Socrates – gjeni futbolli, mjek dhe aktivist politik

“Fitoret e mia politike janë më të rëndësishme sesa fitoret si lojtar profesionist. Një ndeshje përfundon për 90 minuta, por jeta vazhdon”.

Këto janë fjalët e thella dhe të fuqishme të Socrates Brasileiro Sampaio de Souza Vieira de Oliveira, i njohur si Socrates, njëri prej lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit brazilian.

“Në fushë, me talentin e tij dhe me prekjet e sofistikuara, ai ishte gjeni. Në fakt, ishte edhe aktivist politik, i shqetësuar për njerëzit dhe vendin e tij “, ishin fjalët e ish-presidentes braziliane Dilma Rousseff, në vitin 2011, pas vdekjes së Socratesit.

Edhe pse ai ishte një lojtar me dhunti dhe talent të jashtëzakonshëm, ishte martesa e tij e shkëlqyeshme e lojës dhe e politikës që shfaqi dhuratën e tij të pamohueshme intelektuale, shkruan The Guardian.

Në botën e futbollit njihej edhe me nofkën si “Magrao”, për shkak të stilit të veçantë, mjekrës dhe flokëve të gjatë e kaçurrela, transmeton Koha Ditore.

Për dallim nga shumica e futbollistëve, ai nuk u bë profesionist deri në moshën 20-vjeçare, ndërsa po studionte mjekësinë në të njëjtën kohë. Ai kishte këmbë jotipike për një futbollist. Nuk ishte atletik dhe pranoi në shumë raste se nuk e kishte ndërtuar trupin e tij për kërkesat atletike të futbollit prej moshës së re. Filloi si qendërsulmues në fund të viteve ‘70, përpara se të bëhej mesfushor magnetik që fitoi shumë zemra.

Kjo është pjesë e asaj që e bëri Socratesin kaq të veçantë: ai ishte ndryshe nga çdo futbollist tjetër. Pirja e duhanit ishte diçka e zakonshme për Socratesin. Pinte deri në dy pako cigare brenda ditës dhe insistonte të pranohej ashtu siç ishte.

“Unë jam antiatlet. Nuk mund t’ia mohoj vetes disa gabime nga regjimi i rreptë i një sportisti”, insistonte ai.

Socrates luajti për një nga klubet më të mëdha sportive në Brazil: Corinthians Paulista në Sao Paulo, i themeluar nga burra të klasës punëtore me idenë se klubet profesionale të futbollit në atë kohë ishin formuar për elitën.

Ekipi më i mirë që kurrë nuk e fitoi Botërorin

Në kampionatet botërore të vitit 1982 dhe 1986, Socrates ishte kapiten i Brazilit. Ky ekip magjepsi brazilianët; ata e donin futbollin origjinal që luhej nëpër stadiumet e Brazilit, ku mbizotëronte një frymë bindëse.

Sipas fjalëve të Socratesit: “Futbolli ka një marrëdhënie intime me vallëzimin, duke i dhënë një platformë formave të ndryshme të shprehjes”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.