Tjera

Latifi viziton disa blegtorë: Si pasojë e mbylljes nga pandemia qengjat po mbesin pa u shitur

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar se këtë të shtunë ka dalë në terren për të vizituar blegtorë e kësaj komune.

“Komuna jonë ka humbur shumë në të gjithë sektorët, dhe masat e reja si ajo e mbylljes totale po sjellin pasoja në ekonominë tonë, në rastin konkret, nga blegtorët u informova se afër 5000 krerë qengja, tanimë janë të gatshëm për treg, por që efektet e pandemisë COVID-19 dhe mbyllja e gastronomisë ka bërë të pamundur si shitjen e tyre, poashtu edhe të produkteve që prodhohen po nga blegtoria”, është shprehur Latifi, transmeton Klan Kosova.

“Një problem i tillë është mjaft serioz do të dërgonte në një kolaps, falimentimin e stallave, mbetjen e punëtorëve pa punë, këputjen e një hallke të rëndësishme të zinxhirit që ndikon direkt në mirëqenien sociale dhe zhvillimin e ekonomisë familjare”.

Ai është shprehur se fermerët kanë nevojë jo vetëm për ndihmë nga institucionet shtetërore qendrore e lokale, por edhe për përkrahje nga gjithë shoqëria.

“Të gjithë ne duhet ta shohim si obligim moral që t’i ndihmojmë të dalin nga situata e vështirë e tyre duke konsumuar sa më shumë prodhime vendore”.