OPINION

Smajl (Ramë) Kabashi (1978-1999), dëshmori të cilin populli nuk e harron!

Shkruan: Sali O. KABAShI
Njeriu, në këtë botë vjen me një mision të caktuar, por disa, janë të privilegjuar nga Krijuesi, sepse vijnë në jetë për të bërë vdekjen më të mirë dhe më krenare.

Smajl R. Kabashi, ndërpreu studimet, për tu bërë shembulli dhe mësimi më i mirë për gjeneratat e ardhshme.

I lindur me 02 maj 1978 në një familje të ndershme dhe fisnike, Smajli (emrin e të cilit në literaturë apo emërtime të ndryshme, mund ta gjeni edhe si Ismajl Kabashi) u shkollua dhe u ngrit në shkallët e dijes, për të dhënë kontributin e tij për shoqërinë. Në vitin 1997 regjistrohet në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës, por njëkohësisht, ai u regjistrua edhe në Fakultetin e Studimeve Islame, po ashtu në kuadër të UP-së.

Me gjithë dëshirën dhe etjen e madhe për dije, e që këtë e dëshmon edhe vet fakti se ai po studionte dy fakultete, Smajli ishte krijuar për një mision tjetër.

Ai ishte pjesë edhe e demonstratave studentore të vitit 1997, e që në gazetat e kohës shihet në ballë të studentëve me dy gishtërinjtë e ngritur lartë dhe duke brohoritur parullat dhe kërkesat studentore. Në vitin 1998, ishte pjesë e OSBE-së dhe si pjesë e kësaj organizate, kur lufta veç po fillonte në Kosovë, ai u lut nga nga ndërkombëtarët që të shkonte me ta, por Smajli refuzoi dhe qëndroi në Kosovë.

Në fillim të vitit 1999 u inkuadrua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku edhe filloj aktivitetet ushtarake si pjesëtarë i Zonës Operative të Llapit.
Ai qëndroi me mision në rrethinën e Prishtinës, më saktësisht në Fshatin Trudë (Gurakuq), afër fshatit Bardhosh ish-Jugoviç. Smajli në atë zonë ishte shumë i respektuar dhe i dashur nga banorët, saqë ia vunë edhe pseudonimin “Daja”. Se ai ishte krijuar për vepra të mëdha dhe vetëmohuese e heroike, dëshmon fakti se ai në shumë raste si dhe në ditarin e tij të luftës do të thoshte: “Pema e parë që do të piqet, do ta hani në liri”, gjë që edhe ndodhi.

Si pjesë e luftës ishte deri në maj të vitit 1999, ku katër ditë pasi Smajli i mbushë 21 vjet, më saktësisht me 6 maj 1999, vritet me armë në dorë, në mbrojtje të popullit dhe territorit të Kosovës. U varros në fshatin Trudë, por pas përfundimit të luftës, në gusht të vitit 1999, eshtrat e tij u sollën në vendlindje dhe u rivarros në varrezat e fshatit Tomoc.

Për më keq, që të këqijat të mos i ndaheshin kësaj familje të madhe, në ditën që në Shqipëri iu shkon lajmi për vrasjen e djalit të tyre, vrasës ordinerë dhe kriminelë, e vrasin edhe motrën e Smajlit, Hatixhen, në Mamurras të Shqipërisë ku familja Kabashi kishte shkuar për strehim. Kjo ishte një gjendje e rëndë për këtë familje, por këso lloj goditjesh, duronin vetëm shqiptarët, andaj nuk u përulen.

Sot, fatkeqësisht, ndonëse familja e posedon të gjithë dokumentacionin dhe dëshmitë e nevojshme, Smajl (Ramë) Kabashi, nuk njihet zyrtarisht si dëshmorë i luftës së Kosovës dhe ende mbetet e pasqaruar nga eprorët dhe komandantët, se pse 21 vjeçari që u vra në mbrojtje të popullit, nuk figuron në listat e dëshmorëve. Kjo përgjegjësi bie mbi prijësit e luftës, e barra më e madhe bie mbi komandantët e Zonës Operative të Llapit, që edhepse Smajli u vra në mbrojtje të popullit të asaj pjese të Kosovës, ata (komandantët, eprorët, etj.) nuk ia njohin statusin e dëshmorit! Tmerri që është edhe “krim” historik, është fakti se biografia e Smajlit nuk është as në librin e dëshmorëve të Dukagjinit “Të pavdekshmit e Dukagjinit”, i botuar në vitin 2002, ani pse ky libër bën fjalë për Zonën Operative të Dukagjinit, biografia e Smajlit do të duhej të ishte pjesë e saj! Megjithatë, në libra të tjerë, emri i tij është si dëshmorë i kombit.

Në fshatin Trudë, një rrugë mbanë emrin e tij “Rr. Ismajl Kabashi”, pastaj edhe në Gurrakoc të komunës së Istogut është një rrugë po me këtë emër, ndërsa në Prishtinë, një Bibliotekë e cila është pjesë e Xhamisë “Isa Beg” te Katër Llullat, e mbanë emrin e tij “Libroteka Ismajl Kabashi”.

Smajli, ra si dëshmorë, si të tillë e njeh dhe e kujton populli. Dëshmorët ishin shkaktarët pse ne sot jemi të lirë dhe gëzojmë shtetin tonë të pavarur.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483