Rajoni

Sllovenia fillon me lehtësimin e masave të izolimit

Sllovenia do të lehtësojë masat e izolimit duke filluar nga data 30 prill.

Kryeministri slloven, Janez Jansha, tha se kufizimet që janë vendosur në mesin e muajit mars për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, kanë treguar rezultate dhe se vendi ka treguar më shumë sukses sesa fqinjët në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Për këtë, ai falënderoi qytetarët që iu janë përmbajtur rregullave të kufizimit.

Sllovenia ka 2 milionë banorë dhe kufizohet me Italinë, Austrinë, Hungarinë dhe Kroacinë.

Deri më tani në këtë vend janë konfirmuar 1418 raste me koronavirusin e ri dhe 89 vdekje.

Kryeministri Jansha tha se Sllovenia është gjithashtu në mesin e vendeve që kanë pësuar më pak dëme ekonomike dhe sociale për shkak të përgjigjes së shpejtë të qeverisë e cila përfshinte edhe një ndihmë financiare prej rreth 3 miliardë eurosh për ndërmarrjet dhe qytetarët që kanë pësuar nga epidemia.

Ai tha se përveç lehtësimeve në kufizimet e lëvizjes, ditët në vijim do të hapen bibliotekat, muzetë, dhe disa biznese.

Të hënën disa qindra njerëz protestuan në rrugët e qyteteve të ndryshme sllovene kundër qeverisë së qendrës së djathtë të Janshës dhe kufizimeve që ka vendosur për shkak të pandemisë.

Sllovenia mbylli të gjitha shkollat, baret, restorantet, hotelet, qendrat kulturore dhe sportive, dyqanet (përveç dyqaneve të ushqimit dhe barnatoreve), dhe pezulloi transportin publik në mes të muajit mars.

Vendi ka ndaluar çdo shoqërim në hapësira publike dhe i ka vendosur në karantinë të detyrueshme, shumicën e njerëzve që hyjnë në territorin e tij.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.