SPORT

Sky Sports e zgjedh mbrojtësin e Kosovës në mesin e më të mirëve në Evropë

Mediumi i madh britanik Sky Sports e ka zgjedhur mbrojtësin kosovar Ibrahim Dresevic në mesin e 11-shes me yjet e rinj më të talentuar, nën moshën 23-vjeçare, në futbollin evropian, që kanë shkëlqyer në Premierligë, Eredivisie, La Liga, Bundesliga, Serie A dhe Ligue 1.

Pasi kishte luajtur për grupmoshat e Kombëtares së Suedisë, Ibrahim Dresevic vendosi ta vazhdojë karrierën e tij me Kombëtaren e Kosovës, për të cilën i ka luajtur 90 minuta së fundi, në miqësoren kundër Gjibraltarit.

Ai ishte dy herë në listën e Bernard Challandes, për ndeshjet e shtatorit dhe ato të nëntorit, mirëpo në tri ndeshjet e tjera ishte lënë në stol për të gjithë ndeshjes.

Megjithatë, janë paraqitjet e qendërmbrojtësit 22-vjeçar në Eredivisie, nivelin e parë të futbollit në Holandë, që ia kanë fituar atij një vend në formacionin me yjet e rinj më të talentuar në botën e futbollit evropian sipas Sky Sports.

“Mbrojtësi i Heerenveenit, Ibrahim Dresevic, e ka fituar vendin e tij në formacionin e parë me dy golat e shënuar nga largësia – përfshirë këtu një gol kundër Feyenoordit që mund të zgjidhet më i mirë i sezonit – dhe e ka ndihmuar skuadrën e tij ta mbajë portën e paprekur në Eredivisie”, shkruan Sky Sports.

Pasi u transferua në Heerenveen nga Elfsborgi në janar të vitit 2019, Dresevic ka shkëlqyer në Eredivisie deri më tani, duke i bërë dhjetë paraqitje. Në këto paraqitje, përkundër që luan si mbrojtës, ai ka arritur t’i shënojë dy gola dhe ta asistojë një tjetër.

Sky Sports e bën listën e kësaj 11-she bazuar në formën e lojtarëve dhe statistikave të tyre në ndeshjet e fundit të zhvilluara.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.