Kosova

Skena politike kosovare e çakorduar

Të pakoordinuar u shfaqën në Konferencën e Sigurisë në Munih javën që shkoi. Të paunifikuar krerët institucionalë të Kosovës u panë edhe gjatë ditës së djeshme në 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ndonëse kryeministri Albin Kurti bëri thirrje për unifikim, ndasia mes liderëve shtetërorë u hetua edhe në ngjarjet ceremoniale, të mbajtura për nder të 17 Shkurtit.

Megjithëkëtë, ani pse u paraqitën të ndarë në vizita, tre krerët institucionalë u bënë bashkë tek në fund të ditës, në pritjen e organizuar nga i pari i shtetit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani nuk u bashkuan as në pjesën dërrmuese të aktiviteteve të 12-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Të ndarë u paraqitën edhe në vizitat ceremoniale, të mbajtura për nder të 17 Shkurtit. Derisa në njërën anë Kurti e Osmani u panë së bashku në secilin aktivitet, kreu i shtetit në anën tjetër të gjitha vizitat i realizoi i vetëm gjatë të hënës. Thaçi nuk mori pjesë as në seancën e djeshme solemne të Kuvendit të Kosovës.

Por tre krerët institucionalë u bënë bashkë tek në fund të ditës. Në pritjen e organizuar nga presidenti për nder të 12-vjetorit të Pavarësisë morën pjesë edhe Kurti, edhe Osmani, të cilët pavarësisht raporteve të ftohta u përshëndetën me shtrëngim duarsh me shefin e shtetit. Sido që të jetë raportet e ngrira të Kurtit dhe të Osmanit me presidentin Hashim Thaçi nuk u shpërfaqën vetëm tash së fundi. Me të marrë zyrtarisht pozitën e të parës së Kuvendit Vjosa Osmani e largoi fotografinë e presidentit nga ballina e zyrës së saj, duke e zhvendosur atë në një pjesë tjetër periferike.