KULTURË

Skena e pavarur pritet të përfitojë më së shumti nga pakoja emergjente e ndarë për MKRS-në

Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në Express intervistën në KTV, ka folur për situatën që po kalon skena kulturore e sportive në vend në këtë kohë pandemie.

Ajo ka folur edhe për pakon emergjente të Qeverisë në vlerë të përgjithshme 179 milionë euro, e pesë milionë nga kjo shumë janë paraparë për MKRS-në.

Sipas saj, subvencionet për organizata sportive e kulturore do të vazhdojnë, do të jenë pjesë e skemës programore, por do të jenë organizatat e pavarura, sidomos ato kulturore që pritet të përfitojnë nga fondi emergjent i ndarë për MKRS-në.

“Pjesa më e prekur në këtë kohë është në mënyrë e veçantë skena e pavarur programore. Kam pasur takime me disa përfaqësues, si të Dokufestit, Veton Nurkollarin, pastaj Florent Mehmetin, Edona Hashanin. Janë njerëz që japin kontribut të madh, na kanë vendosur në hartën ndërkombëtare me ngjarjet që organizojnë. Pra, skena e pavarur është më e atakuara në këtë kohë”, ka thënë Dumoshi në “Express intervistën”.

Ajo ka njoftuar se përfaqësuesit e këtyre organizatave do të jenë në grupin punues, ku do të përcaktohen kriteret dhe nevojat për mbështetje.

“Bashkërisht, ata do të jenë në grupin punues, do të japin kontributin e vet. Dokufesti, siç është paraparë nuk besoj se do të mbahet, por Vetoni ka nisur një punë për një formë digjitale të shfaqjes së filmave, ka ndryshuar gjithçka, por kjo ka edhe kosto, ka shpenzime operacionale. Ata në muajin e ardhshëm thanë se nuk do të mund të funksionojnë u si organizatë për shkak të obligimeve që kanë si me qiratë për zyrat e të tjera”, ka shtuare e para e MKRS-së.

Ajo ka konfirmuar se pjesa e subvencioneve programore, do të vazhdojë. Aplikimet janë bërë dhe tash do të bëhet vlerësimi, posa të kalojë kjo gjendje, si pasojë e koronavirusit.

Dumoshi ka folur edhe për projektet e mëdha kapitale. Ka dhënë pak shpresë për nisjen e ndërtimit të Stadiumit kombëtar, ndërkohë edhe projekti për Teatrin e Operës dhe Baletit është pranë dështimit.

Për stadiumin ka thënë: “Nuk dimë të japin përgjigje, pasi jemi në këto rrethana. Tashmë është bërë plani i prokurimit për investime kapitale për vitin 2020 dhe kemi kërkuar nga Ministria e Financave nëse mund të procedojmë. Për projektet e vitit 2020 presim përgjigje, kurse ato të vitit 2019 vazhdojnë”.

E për projektin e shumëpërfolur të Teatrit të Operës dhe Baletit ka thënë se ka problem me pronën. Aty ku është paraparë ndërtimi para shumë vitesh, parcela i është dhënë Universitetit të Prishtinës nga Komuna e Prishtinës.

“Edhe si ministre, edhe si qytetare, unë jam shumë e interesuar për me e shty projektin e Teatrit dhe Baletit, por janë edhe disa procedura me Komunën e Prishtinës. Kam pasur një takim me kryetarin Shpend Ahmeti për punën e pronës ku është paraparë. Duhet të shohim se si do ta procedojmë, një projekt është bërë, pritet të bëhet vetëm përzgjedhja, por problem e kemi vetëm vendin, aty ku ka qenë e paraparë, ajo pjesë iu ka dhënë Universitetit të Prishtinës. Nëse nuk e ndërtojmë në pjesën ku është paraparë, edhe projekti i Ministrisë së Kulturës bie në ujë. Nuk ka asnjë logjikë me u përzgjedh një projekt kur nuk e kemi vendin ku do të ndërtohet Teatri i Operës dhe Baletit”, ka thënë Vlora Dumoshi.