EKONOMI

Skandaloze/ Ja si po abuzojnë bosët e naftës me çmimet

Posa kaloi kufirin e Maqedonisë së Veriut nga Kosova, Bashkimi u ndalë në një pikë karburanti për ta mbushur veturën e tij me naftë, por ai u befasua kur pa se çmimi ishte 1 euro e 1 cent për litër, derisa në Kosovë çmimi i naftës është nga mbi 1.10 deri në 1.26 euro për litër.

Vetura të shumta nga Kosova, shihen atje duke u mbushur më naftë për shkak të çmimit më të ulët e cilësisë më të lartë të derivateve përkatësisht naftës. 

Qytetarët ankohen se cilësia e derivateve në vendin tonë nuk është e mirë, derisa edhe çmimet janë më të larta sesa në vendin fqinj. 

Kryekonsumatori Selatin Kaçaniku, tha për “Syri.net” se çmimet e derivateve konkretisht të naftës janë më të larta, sepse pikat e shitjes së derivateve nuk janë nën kontroll të shtetit dhe as të qytetarëve konsumatorë. 

Ai tregoi se ka marr pjesë në një kontroll me inspektorë në disa pika të cilat dyshohet se ishin paralajmëruar dhe të manipuluara, ku sipas kryekonsumatorit të Kosovës dikush kishte arsye ta bëjë këtë. 

Kaçaniku shtoi se qytetarëve të Kosovës, akoma nuk i njihet e drejta ligjore për matjen e cilësisë së produkteve dhe performancës së shërbimeve, ku kemi të bëjmë edhe me çmimin e produkteve të naftës. 

Eksperti Jakup Gashi tha për “Syri.net” se nafta është më shtrenjtë në vendin tonë sesa në Republikën e Maqedonisë për shkak të akcizës, pasi që atje është më e lirë sesa në Kosovë.
 
Sipas tij, sa i përket cilësisë së naftës së importuar është përgjegjëse dogana, ku edhe me raportin e auditimit ka paraqit shumë shkelje ligjore dhe mungesë të kapaciteteve teknike dhe profesionale të doganës, ku momentalisht nuk ka më shumë se dy parametra për të ka qenë e akredituar dhe nuk ka kapacitete të kontrollit ku me Udhëzimin Administrativ kërkohen  19 parametra.

“Derivatet e naftës importohen dhe si të tilla nuk ka mundësi të prishjes së cilësisë në brendi të vendit, ku gjatë inspektimit nga inspektorati ka raste ku rezultojnë jo konform rregullave dhe si të tilla procedohen gjobat si dhe dërgohen lëndët në gjykata”, tha Gashi.

Ai shtoi për “Syri.net”, se sistemi i kontrollit të cilësisë së naftës i instaluar që nga viti 2011 nuk jep siguri sa i përket cilësisë së naftës. 

“Shpresojmë tek qeveria e re, se do të bëjë një revidim të sistemit të kontrollit të naftës që të ju siguroj qytetarëve cilësi dhe sasi të sigurt të derivateve të naftës”, tha eksperti.

Sipas tij me ministrin e ri që do të vijë shpresojmë se do të ketë në konsideratë ruajtjen e konsumatorit, mbrojtjen e qytetarëve e jo interesat e klaneve të caktuar, gjë e cila është vepruar deri më tani.

Ai shton se dogana vazhdon akoma të mbaj këtë kompetencë e cila nuk i takon me ligj, në rastin tonë të instaluar në Kosovë qytetarët si dhe pikat që shesin me pakicë janë të dëmtuar pasi që me rastin e importit nuk ka kontroll dhe lejohet çfarëdo lloj importi.

Zyrtar nga Ministria e Tregtisë e Industrisë, thonë për “Syri.net”, MTI-ja nuk e përcakton çmimin e derivateve që shiten në tregun e Republikës së Kosovës, sepse Kosova është përcaktuar për sistemin e ekonomisë së lirë dhe në bazë të kësaj edhe tregu është i lirë dhe nuk na lejohet ndërhyrja. 

“Në rast te dyshimit të monopolit apo prishjes së konkurrencës në treg nga ndërmarrjet, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është përgjegjës për ta trajtuar çështjen/dukurinë”, thonë nga MTI.

Sipas tyre Ministria e Tregtisë dhe Industrisë inkurajon qytetarët që të sjellin fakte për pretendime dyshuese dhe me fakte që do të ndihmojnë për të ndërmarrë masa të menjëhershme nga organet kompetente.

Zëdhënësi i Doganave Adriatik Stavileci, tha për “Syri.net” se për çmimet e shitjes me pakicë dhe arsyen pse janë më të lartë kompetent janë Autoriteti i Konkurrencës dhe MTI-ja.

Sipas tij gjatë këtij viti janë kthyer mbrapa 19 autobote me derivate të naftës, pasi që cilësia e tyre nuk ishte në përputhje me UA 01/2017.

“Për vitin 2019, deri më sot në Kosovë janë futur diku rreth 19876 ngarkesa. Për vitin 2019, deri me sot janë kryer rreth 1166 testime e qe është rreth 5.86%. Kjo shifër është mbi praktikat evropiane qe janë 3-5%.” tha Stavileci

Nga ana tjetër kryetari i Autoriteti të Konkurrencës i kontaktuar nga “Syri.net”, nuk është përgjigjur rreth çmimeve të naftës që janë më të shtrenjta në Kosovë sesa në Maqedoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published.