Kombëtare

Skandaloze, i akuzuari për katër vepra penale emërohet Dekan i Fakultetit Juridik

Senati i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, së fundmi ka zgjedhur për Dekan të Fakultetit Juridik prof. asoc. Dr. Kolë Krasniqi.  Zgjedhja e dekanit është detyrë dhe nevojë e domosdoshme në mënyrë që punët në fakultetin përkatës të shkojnë mirë.

Në rastin konkret, zgjedhja e Prof. asoc. dr. Kolë Krasniqi Dekan i Fakultetit Juridik del të jetë mjaft problematike dhe e kontestuar. Dekani i zgjedhur Prof. Asoc. Dr. Kolë Krasniqi, është në proces gjyqësor në Gjykatën Themelore të Pejës dhe akuzohet nga Prokuroria Themelore e Pejës për kryerjen e 4 veprave penale që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës zyrtare. Konkretisht Prokuroria  Themelore e Pejës, Departamenti për Krime të rënda e akuzon të Prof. Asoc. Dr. Kolë Krasniqi për veprat penale të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës:

1.     Keqpërdorim i Informatës Zyrtare;

2.     Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar;

3.     Hyrja në sistemet kompjuterike; dhe

4.     Falsifikim i dokumenteve.

Sipas aktakuzës të gjitha këto vepra penale janë kryer nga i akuzuari Prof. Asoc. Dr. Kolë Krasniqi në kohën kur ai ushtronte pozitën Ushtrues Detyre i Dekanit në Fakultetin Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë. Rasti në fjalë është proces gjyqësor i cili vazhdon të jetë akoma i pa përfunduar në Gjykatën Themelore të Pejës.

Në aktakuzën mbi 100 faqe, ndaj të akuzuarit Kolë Krasniqi, janë mbledhur prova materiale dhe janë siguruar dëshmitë e disa personave.

Duke qenë në dijeni të këtyre fakteve, Senati Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ka zgjedhur përsëri në pozitën e Dekanit një person i cili duke qenë në pozitën e njëjtë akuzohet se ka keqpërdorur autoritetin dhe detyrën zyrtare. Një veprim i tillë i Senatit të UHZ-së përbën shkelje të rëndë ligjore dhe duhet ndaluar nga Këshilli Drejtues i Universiteti dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Duke e ditur se rasti është në shqyrtim gjyqësor emërimi i të akuzuarit Kolë Krasniqi përbën rrezikshmëri për eliminimin dhe dëmtimin e provave materiale dhe frikësim të dëshmitarëve potencial.

Që universitetet rajonale nuk shquhen për cilësi në Arsimin e Lartë është e kuptueshme pasi që Këshilli Shtetëror i Cilësisë gjatë këtij viti refuzoi riakreditimin institucional për Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, Universitetin “Ukshin Hoti” në Gjilan dhe Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, por që të bëhen shkelje kaq të mëdha ligjore është thjesht e pakuptueshme.  Nuk mund të ketë zhvillim, ngritje të cilësisë dhe akreditim një institucion i cili emëron për Dekan një person të akuzuar për vepra penale dhe për më tepër veprat penale janë konsumuar duke qenë pikërisht në pozitën për të cilën është zgjedhur Kolë Krasniqi.

Fakulteti Juridik është institucion i cili shkollon kuadro për drejtësi dhe luftim të krimit dhe duhet të përfaqësohet nga njerëz me integritet moral dhe profesional. Vetëm personat me integritet moral dhe profesional mund të shkollojnë dhe edukojnë juristë, gjyqtarë, prokurorë, avokat, noterë të ardhshëm.

Emërimi i personave me aktakuzë në pozita udhëheqëse vazhdimisht është kritikuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë si dhe përfaqësuesit diplomatik të akredituar në Kosovë. 

Shpresojmë se institucionet e Republikës së Kosovës do të reagojnë dhe Senati i UHZ-së të revokojë vendimin për zgjedhjen në pozitën e Dekanit të akuzuarin për 4 vepra penale Kolë Krasniqi.

Në vijim gjeni një pjesë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë ndaj Kolë Krasniqi.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483