SHËNDETËSIA

S’ka barna, pacientët me kancer e me sëmundje në zemër i blejnë ato vetë

Edhe më tej institucionet publike shëndetësore në vend po ballafaqohen me mungesë të barnave dhe të materialit shpenzues. Shumë barna është dashur t’i sigurojnë vetë personat me kancer, ata me probleme në zemër e personat me diabet edhe pse buxheti aktual për vitin 2019 vetëm për barna dhe për material shpenzues është 34.9 milionë euro, shkruan sot gazeta Zëri

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, spitalet rajonale e qendrat e mjekësisë familjare në vend po ballafaqohen me mungesë të barnave dhe të materialit shpenzues tash e disa muaj. Në mungesë të produkteve mjekësore pacientët po detyrohet t’i blejnë vetë ato në barnatoret private, pavarësisht çmimeve të larta të tyre.

Me mungesë të barnave po ballafaqohen shumë herë edhe të sëmurët me kancer në QKUK, të cilët përpos barrës së sëmundjes po duhet ta mbajnë edhe barrën e sigurimit të barnave.

Disa nga medikamentet e nevojshme për trajtimin e këtyre personave, si citostatikët “Etoposide”, “Carboplatine”, “Cisplatin”, “Paclitaxel” 30 mg dhe 100 mg, gjatë këtij muaji dhe gjatë muajit të kaluar është dashur t’i sigurojnë vetë pacientët me kancer në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, derisa edhe personat me sëmundje në zemër, personat me epilepsi e me sëmundje të tjera po detyrohen të sigurojnë vetë disa barna, të cilat janë të nevojshme për trajtimin e tyre.