EKONOMI

Sivjet më pak para nga diaspora

Abidin Gavazaj kishte planifikuar që si çdo vit edhe sivjet të vinte në Kosovë për të kaluar pushimet verore.

Ai jeton në Salzburg të Austrisë dhe së bashku me familjen planifikonte që të vazhdonte punimet në ndërtimin e një shtëpie në Prizren, që është qyteti i tij i lindjes.

Por, shfaqja e pandemisë së koronavirusit të ri ka bërë që Abidini të pezullojë çdo investim të cilin ai e kishte planifikuar ta bënte këtë vit në Kosovë.

“Kam filluar para një kohë që të ndërtojë një shtëpi dhe tash mungesa fizike në Kosovë po na kufizon shumë investimin, por edhe ndërtimin atje. Shumica e firmave ose e ndërmarrësve nuk kanë gatishmërinë pa qenë prezent edhe pronari i shtëpisë, që të kryejnë punimet. Mungesa jonë fizike normal që i anulon të gjitha investimet dhe tash duhet të presim deri në një afat të ardhshëm”, thotë Gavazaj.Abidini punon si kryeteknik në një nga spitalet e Salzburgut ndërsa gruaja i punon si motër medicinale, raporton REL.

Edhe në rast se hapen kufijtë dhe kalon situata me pandeminë, Abidini thotë se shumë organizata shtetërore në Austri kanë anuluar pushimet për një afat të pacaktuar.

“Mundësia që të vijmë sivjet në Kosovë mendoj se në 80 për qind të rasteve është e pamundshme, për vet faktin se në alarm janë të gjitha institucionet këtu, sidomos ato shëndetësore ku edhe punoj vet. Që të vijmë në Kosovë ne kemi shumë barriera për të arritur deri atje. Pushimet ne i planifikojmë në fillim të vitit për gjithë vitin dhe shumica e institucioneve këtu i kanë anuluar pushimet”, thotë Gavazaj.

Vendet evropiane kanë filluar hapjen e kufijve, por ende mbetet e paqartë se kur mund të ketë qarkullim të lirë të qytetarëve.

Sipas autoriteteve në Prishtinë, personat që duan të udhëtojnë përmes rrugëve tokësore nga vendet evropiane për në Kosovë, duhet të pajisen me një leje të posaçme të kalimit nga shtetet respektive.

Kjo situatë pritet të ndikojë te shumë mërgimtarë që të anulojnë ardhjen në Kosovë.

Pamundësia e ardhjes së tyre parashihet që të shkaktojë pasoja për ekonominë e Kosovës.

Lirim Krasniqi nga organizata “Germin”, që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë për Radion Evropa e Lirë se rënia e vlerës së remitencave parashihet të jetë prej 10 deri në 15 për qind.

Leave a Reply

Your email address will not be published.