Kosova

Sipas Kurtit, tri herë ka provuar ta rrëzonte atë nga pushteti Thaçi, kjo e fundit, sipas tij, është hera e katërt

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka quajtur “orvatje të dështuara” përpjekjet e presidentit Hashim Thaçi për formimin e qeverisë së re, duke mandatuar Avdullah Hotin nga LDK-ja.

Ai ka shkruar në Facebook, se kjo është orvatja e katërt dhe se edhe kjo sipas tij do t’i dështojë.

Kurti i ka quajtur orvatje për rrëzimin e tij, qëndrimin e Thaçit në Uashington dhe përpjekjet e tij për marrëveshje me Serbinë. Të tillë e ka quajtur edhe iniciativën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që u kundërshtua nga Kurti si dhe rrëzimin e Qeverisë më 25 mars përmes një mocioni mosbesimi.

E “orvatje të katërt” e ka quajtur presionin sipas tij, mbi Gjykatën Kushtetuese, e cila deri më 29 maj pritet të marrë një vendim për dekretin e Thaçit për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

“Gjykata Kushtetuese duket se është nën trysni të paparë nga veprimet e Presidentit. Dekreti i tij kapërceu partinë fituese dhe mandatoi atë që nuk ishte as në mesin e dhjetë më të votuarve në zgjedhjet e 6 tetorit! Teksa diskutimi që duhet të bëjmë është për datën më të përshtatshme për zgjedhje. Sepse rasti i tanishëm as formalisht e as materialisht nuk është i ndryshëm prej viteve 2010 dhe 2017: binte qeveria e shkohej në zgjedhje, pra respektohej procedura ashtu si e parasheh shprehimisht Kushtetuta. Në anën tjetër, Presidenti shpalli se 20 ditë është afati që duhet të ketë partia fituese për të çuar emër, pra, nga letra e parë me 2 prill deri te tryeza konsultative me 22 prill. Presidenti në Republikën e Kosovës është politikisht joaktiv. Ai nuk përzgjedh kandidatët e as nuk përcakton afatet, por veçse pranon propozimet. Presidenti simbolik, meqë vuan këtë fakt, don ta kthejë Republikën në simbolike. Me sjelljet e tij ilegale synon ta reduktojë shtetin në institucion paralel ndërsa Kushtetutën në udhëzim të tij administrativ. Edhe orvatja e katërt do t’i dështojë. Koha nuk kthehet mbrapsht. 6 tetori 2019 ka ndodhur. Që prej atëherë, koha ka ecur përpara. I thjeshtë është problemi të dashur qytetarë: nuk mund ta shpëtojmë edhe Republikën edhe këtë President. E, unë e kam ndarë mendjen. Moti”, ka shkruar Kurti.

Kurti dhe partia e tij, VV-ja, këmbëngulin se vetëm atyre si fitues të zgjedhjeve të fundit u takon e drejta për të formuar qeverinë.