Kosova

Sipas Beqajt, shkuarja në zgjedhje, është mënyra e vetme legjitime për të dalë nga kriza aktuale poltike

Për analistin politik Belul Beqaj, mbajtja e zgjedhjeve është mënyra e vetme legjitime.

Kjo, sepse, siç ka thënë ai në një prononcim për KOHËN, një qeveri e formuar pa partinë fituese, “devijon” vullnetin e qytetarëve.

“Shkuarja në zgjedhje të parakohshme është legjitime ngase deputetët e Parlamentit, veçmas të LDK-së, me votimin e mocionit kundër qeverisë e kanë devijuar vullnetin politik të shumicës së qytetarëve që kanë votuar për ndryshime”, tha Beqaj.

Beqaj i ka vlerësuar edhe përpjekjet e partive jo fituese të zgjedhjeve për formimin e një qeverie të re, pa shkuar në zgjedhje.

“Humbësit e zgjedhjeve janë të vetëdijshëm se përpos që i kanë humbur shanset për t’u kthyer në nivelin e mëparshëm në skenën politike, ato i kanë drejtuar shumë anëtarë në taborë të fituesit, disa i kanë zhgënjyer përfundimisht, ndërsa në ato parti do të mbesin ata që nuk kanë kurrfarë zgjidhje”, tha Beqaj.

Ndërkaq, shtoi se Qeveria e LDK-së “do të zgjasë deri sa t’i kryejë obligimet që i ka marrë paraprakisht”.

“Nëse këto detyra nuk i zbaton gjatë pandemisë, pas pandemisë do të detyrojë pakënaqësia e shtresuar e vullnetit të shumicës së qytetarëve për ta dërguar në harresë”, tha tutje Beqaj.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për KOHËN se Qeveria në detyrë ka kërkuar mbajtjen e tyre pasi të stabilizohet situata me pandeminë Covid-19.

Lexo edhe: “Prova” për protestë në kohë pandemie nëse vendi nuk shkon në zgjedhje

Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve është në përputhje me praktikën kushtetuese.

“Kryeministri në detyrë Kurti është deklaruar se hapi i radhës kushtetues që duhet të ndërmerret pas mocionit të mosbesimit të datës 25 mars janë zgjedhjet e parakohshme. Shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme, pas votimit të mocionit të mosbesimit, është veprim në përputhje dhe ruan rendin dhe praktikën kushtetuese të Republikës së Kosovës derisa në të njëjtën kohë respekton parimet demokratike dhe vullnetin politik të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e kaluara”, ka thënë Kryeziu.

KQZ-ja ndërkaq është e gatshme t’i organizojë ato, nëse një gjë e tillë kërkohet. Këtë e ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ, në një deklaratë për KOHËN.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucion i përhershëm kushtetues që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve kurdo që i kërkohet. Sikurse në të kaluarën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë ai.

Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi deri më 29 maj, derisa të shqyrtojë lëndën e dërguar nga kjo parti lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit për mandatarin.

Njoftimi për dekretimin e Hotit erdhi pasi presidenti Thaçi më 22 prill, konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të fundit, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, andaj të drejtën ia kaloi LDK-së, si partia e dytë më së shumti vota në zgjedhjet e fundit.

Kurti dhe presidenti Thaçi kanë shkëmbyer një varg letrash, në të cilat Thaçi i kishte kërkuar kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, emrin e kandidatit të ri për kryeministër. Kurti në anën tjetër ka thënë se nuk e ka refuzuar dërgimin e emrit të ri, ndonëse ka thënë se janë në favor të mbajtjes së zgjedhjeve, pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483