Kosova

Sindikata evropiane, SBAShK-un e konsideron pjesë të Serbisë, Jashari e quan “gabim teknik”

Komiteti i Sindikatave të Bashkuara të Evropës, Kosovën nuk e konsideron shtet.

Kjo organizatë, ditë më parë, përmes një letre drejtuar presidentit Hashim Thaçi dhe Avokatit të Popullit, i doli në mbështetje SBAShK-ut duke kërkuar miratimin e Ligjit të pagave për mësimdhënësit, raporton KTV.

Ndonëse ka vite që SBAShK-u është pjesë e këtij komiteti, në ueb-faqen e kësaj organizate, renditet te sindikatat që janë pjesë e Serbisë.

Në mesin e 51 shteteve janë edhe ato të rajonit si Shqipëria e Maqedonia e Veriut, ndërkaq Kosova nuk figuron askund si shtet.

SBAShK-u mund të gjendet vetëm te pjesa ku janë të paraqitura sindikatat nga Serbia.

Derisa adresa e SBAShK-ut shkruan Prishtina, shteti figuron si Serbia.

Por, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, është i bindur se ky është vetëm një gabim teknik i këtij komiteti.

Jasharaj thotë se në të gjitha takimet e këtij komiteti, SBAShK-u gjithmonë është paraqitur dhe ka marrë pjesë me logo dhe flamur të Kosovës dhe se asnjëherë nuk është kontestuar shtetësia nga ana e komitetit.

KTV-ja ka kërkuar sqarime edhe nga Komiteti i Sindikatave të Bashkuara Evropiane, se përse Kosovën e ka renditur si pjesë të Serbisë dhe nëse SBAShK-un e njeh si sindikatë të Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, pjesë e këtij komiteti janë 132 sindikata të arsimit dhe ky komitet përbëhet nga sindikata kombëtare të arsimtarëve dhe stafi tjetër në arsimin e përgjithshëm.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.