Kosova

Sindikata e RTK-së: Kërkojmë që Bordi i RTK-së të distancohet nga fyerjet e Mentor Shalës

Sindikata e Pavarur e RTK-së përmes një komunikate për media ka dënuar ashpër gjuhën fyese që ka përdorur drejtori i RTK-live Mentor Shala pas zgjedhjeve të mbajtura.

Shala pas përfundimit të numërimit të votave kishte thënë se kosovarët kanë votuar pro Rusisë në zgjedhje, pasi Vetëvendosje doli e para dhe LDK e dyta në zgjedhje.

Komunikata e plotë e Sindikatës së Pavarur të RTK-së:

Sindikata e Pavarur e RTK-së denon ashpër gjuhën fyese te drejtorit të RTK-live, Mentor Shala, i cili pjesën më të madhe të votuesve të vendit tonë i quan prorus dhe antiperëndimor.

Përmes këtij shkrimi që nxiti reagimin e mijëra qytetarëve, ai eskalon mëtutje duke deklaruar se me këtë votim, “prej sot më larg e kemi shtetin e Kosovës.”

SPRTK kërkon nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së, që të distancohen nga kjo gjuhë denigruese e drejtorit të Mediave online në RTK, e cila shkelë rëndë kodin etik dhe standardet profesionale të Transmetuesit Publik.

Organet drejtuese të RTK-së të mos jenë selektiv por rastin ta trajtojnë konform rregulloreve të RTK-së.

Transmetuesi Publik është i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe votuesit pavarësisht bindjeve të tyre politike janë qytetarë të vendit tonë.