Kosova

Sindikata e Pavarur e RTK-së thotë se disa nga shkeljet që janë duke ndodhur, do t’i adresojë së shpejti në Inspektoratin e Punës

Sindikata e Pavarur e RTK-së ka deklaruar se do t’i dërgojë në Inspektoratin e Punës, shkeljet që janë bërë në televizionin publik.

Kjo sindikatë përmes një komunikate për media njofton se ia ka bërë me dije drejtorit të RTK-së se ligjshmëria aty vazhdon të jetë selektive, dhe sipas tyre, shkelësit më të mëdhenj të saj janë pikërisht ata të cilët janë obliguar ligjërisht e moralisht ta respektojnë para të gjithëve këtë ligjshmëri.

“Sindikata e Pavarur e RTK-së do të vazhdojë të jetë kundërshtuesja më e madhe e veprimeve tendencioze, arbitrare e selektive, dhe nuk do të kursej asnjë mjet ligjor ndaj secilit që tenton ta instalojë një praktikë të tillë. Angazhimi i SPRTK -së, do të jetë në funksion të një Transmetuesi Publik për qytetarin e jo të një klani apo partie politike”, thuhet në njoftim.

Sindikata tutje ka paraqitur disa raste të cilat ajo thotë se janë shkelje.

“Z. Kastrati është mirë të tregoni për të punësuarit e RTK-së, por edhe për publikun e gjerë, se cilat masa janë ndërmarrë ndaj kryeredaktorit të lajmeve, Ridvan Berisha i cili gjatë moderimit të emisionit ‘Debat’, në transmetim live deklaroi: Në listë është edhe RTK, e kanë në skenar kapitalisti Besnik Bislimi, besoj që kujdeset bashkë me ekipin e vet të mendësisë gjysmë bolshevike për të kapluar njerëzit e vet këtu.
Këtë gjuhë të komunikimit z.Berisha e vazhdoi edhe të nesërmen, në gazetën Express ku përveç tjerash tha ‘Operacioni i koduar, pastrimi i LVV-së dhe LDK-së me gjasë do të shtrihet gjithandej, pashmangshëm edhe në RTK si pjesë e konceptit bolshevik’”, thuhet në komunikatë.

Ata tutje kanë përmendur edhe një deklaratë të udhëheqësit të portalit, Mentor Shala.

“Z. Kastrati, bëjeni publike, cilat masa janë marrë ndaj udhëheqësit të medieve online, Mentor Shala, i cili vetëm pak kohë pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve të fundit kishte shkruar: Lindje-Perëndim, Perëndim a Lindje ?! Përgjigja u dha sonte. Sot 26 % e popullit! (që fatmirësisht nuk është shumica e popullit të Kosovës) vendosen për Lindjen! Nëse Perëndimi (SHBA) u munduan të na bëjnë të qartë se duhet të mbesim me perëndimin e na s’e dëgjuam – Lindja (Rusia) sot ia qon gishtin e mesëm Perëndimit (SHBA) dhe i thotë tash merreni vesh me mu (Rusinë) për Kosovën. Po dua me thënë ia kemi thy Rusisë me sonte. Deri më sot kurrë ma afër s’e kemi pas rrumbullakimin e shtetit të Kosovës ndërsa prej sonte ma larg e kemi, edhe pse besoj shumë në mrekulli (lojëra të mëdha prej njerëzve të mëdhenj’”, thuhet tutje në njoftim.

Sindikata thotë se “këto deklarata kishin nxitur pakënaqësi dhe reagime të mëdha te publiku anembanë vendit tonë dhe në shtetet ku jetojnë bashkatdhetarët tanë”.

“Por, ne jemi të vetëdijshëm që ju nuk do të keni çfarë të tregoni e publikoni për arsyeje se i keni mbyllur sytë para këtyre shkeljeve, skajshmërisht të dëmshme për RTK-në dhe imazhin e saj. Ndërsa tash, ju po i arsyetoni masat ndëshkuese ndaj atyre që po e mbajnë gjallë programin në këtë kohë të pandemisë globale, të iniciuara në emër të respektimit të standardeve profesionale, nga ata që ishin shkelësit më të mëdhenj të tyre. Ju, po e mbroni ndëshkimin e tyre, në vend se ta bëni të kundërtën, t’i shpërbleni ata për sakrificën dhe rrezikun që po e bartin për veten dhe familjet e tyre”, thuhet tutje në njoftim.

Ata tutje e kanë quajtur tendencioz e selektiv, inicimin e dy procedurave disiplinore ndaj një gazetari të këtij mediumi.

“Për rastin e parë atij i është shqiptuar masa e rëndë, vërejtje e fundit me shkrim. Me këtë veprim, ju po e mbroni arbitraritetin dhe drejtësinë selektive. E arbitrariteti e drejtësia selektive janë padrejtësitë më të mëdha”, thuhet në njoftim.