Kosova

Simiqi druan se edhe Kosova mund të miratojë ligj të ngjashëm me Malin e Zi për komunitetet fetare

Deputeti i Listës Serbe, njëherësh nënkryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq, ka shfaqur drojën se edhe Kosova mund të miratojë një ligj për komunitetet fetare të ngjashëm me atë të Malit të Zi.

“Në Prishtinë po përgatitet një ligj me emër tjetër, por në thelb është i njëjtë me atë të Malit të Zi dhe këtu bëhet fjalë, ndoshta, për marrjen e pronës së kishës ortodokse serbe (SPC) dhe gjithçkaje që është ortodokse”, ka thënë Simiqi për televizionin serb “Pink”.

Ai ka shtuar se populli serb në Kosovë është i shqetësuar për miratimin e Ligjit për lirinë fetare në Mal të Zi i cili mund të miratohet edhe në Kosovë, transmeton Koha.net.

Simiqi u ka bërë thirrje autoriteteve në Mal të Zi që të dialogojnë me SPC-në dhe të tregojnë se nuk do të ndodhë një “konfiskim i sinkronizuar i pronës së SPC-së”.

Ai tha po ashtu se Listës Serbe s’i intereson se kush do të jetë kryeministër i ri, kryetar i Kuvendit apo president i Kosovës, por u intereson që shqiptarët të respektojnë të drejtat e garantuara të popullit serb dhe ato që me kushtetutë e ligj u takojnë në institucione.

Simiqi ka thënë se shqiptarët, në të gjitha mënyrat e mundshme, tentojnë që të kufizojnë politikisht Listën Serbe dhe t’ia marrin çdo të drejtë politike e institucionale që u takon në institucionet e Kosovës.

Ai paralajmëroi se përfaqësuesit serbë në Kosovë do të takohen nesër në Beograd me Marko Gjuriqin, drejtorin e zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, ku do të analizojnë situatën politike pas zgjedhjeve si dhe do të bisedojnë për situatën në Kosovë sikurse edhe për realizimin e projekteve të ardhshme.

Ligji për lirinë e besimit ose të bindjeve fetare dhe statusin juridik të bashkësive fetare në Mal të Zi parashikon shtetëzimin e pronave për të cilat Kisha nuk mund të dëshmojë se i përkisnin asaj para vitit 1918.

Deri në atë datë, Mali i Zi nuk ishte i pavarur dhe bënte pjesë në mbretërinë e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve.

Miratimi i ligjit për komunitetet fetare është shoqëruar me protesta, dhunë dhe arrestime në Parlamentin e Malit të Zi.

Pas mesnatës së të enjtes seanca u ndërpre, pasi, siç raportoi Al Jazeera, u hodh një lëndë e ngjashme me gazin lotsjellës.

Ligji u miratua vetëm me votat e koalicionit qeverisës, ndërsa brenda dhe jashtë parlamentit pati protesta të dhunshme.

Pas incidentit të së enjtes, 22 persona u arrestuan – 18 deputetë të partisë Fronti Demokratik dhe katër të tjerë.

Kjo forcë politike e Malit të Zi paraqiti më shumë se 100 ndryshime në projektligj, por ato u kundërshtuan nga koalicioni qeverisës.

Qindra përkrahës të opozitës pro-serbe dolën në rrugët e Podgoricës për të protestuar kundër projektligjit.

Policia vendosi barriera metalike përgjatë rrugëve për të parandaluar protestuesit, përfshirë disa priftërinj, të cilët ishin përpara parlamentit, ku ligjvënësit po debatonin për projektligjin.

Kisha Ortodokse Serbe pretendon se ligji do t’i heqë pronën, duke përfshirë dhjetëra manastire mesjetare dhe kisha.

Dje, siç raportoi portali i televizionit publik malazeze, Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, nënshkroi Ligjin në fjalë.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483