Hi Tech

Siguria e fëmijëve në internet, nga koha e gjatë para ekraneve deri te rreziqet që sjell

Vetëm 7 në 100 familje në Kosovë nuk kanë qasje në internet.

Kjo është një statistikë impresive për një shtet, duke qenë më e larta në rajon dhe madje mbi mesataren e shteteve të BE-së.

Bazuar në të dhënat e Eurostatit, në Kosovë 93 për qind e familjeve janë me qasje në internet në shtëpi, ndërkohë që mesatarja në shtetet e BE-së është 89 për qind, raporton KOHA.

Në të tjera statistika ku Kosova mposht shtetet e BE-së janë nataliteti e rrjedhimisht edhe numri i nxënësve që regjistrohen në sistemin arsimor në proporcion me numrin e banorëve.

Kosova regjistron 16.8 lindje në 1.000 banorë, kurse në shtetet e Bashkimit Evropian kjo shifër është 9.9.

Proporcioni i nxënësve që regjistrohen në arsimin terciar (për 100 banorë), në Kosovë është 7.0, kurse në shtetet e BE-së 3.8.

Fëmijët po rriten me telefona të mençur, laptop, ipad e çdo mjet tjetër të mundshëm i cili lidhet me internet, e që gradualisht edhe po inkuadrohen në aktivitetet e tyre të thelbësore, siç është edhe shkollimi.

Megjithatë, janë një sërë shqetësimesh që janë ngritur ndër vite lidhur me sigurinë e fëmijëve në internet.

“Studimet po tregojnë që koha e kaluar para ekranit për fëmijët, është rrit nga 50-70 % me fjalë të tjera, nëse preokupimi i prindve ka qenë që po kalojnë një kohë të gjatë, tash është edhe më gjatë se në të kaluarën. Sa i përket pyetjes, se çfarë efekti do të ketë në aspektin afatgjatë, nuk mund të them, por një gjë është e sigurt, se sa ma gjatë kalon kohë para ekranit, aq ma gjasë ka që të jetë pre e ekspozimit ndaj materialeve, që jodomosdo mund të konsiderohen si të dobishme, ose të qëllim mira për fëmijët”, ka thënë Aliriza Arënliu, psikolog dhe profesor në Fakultetin e Filozofisë në UP.

E Teuta Zymeri, drejtoreshë në Qendrën për Studime të Avancuara, numëron problemet që kanë dalë nga hulumtimet.

“Nga Hulumtimet po edhe nga puna në terren, del që rreziqet më të mëdha janë bulizmi, cyberbullying, takimi me njerëz të panjohur, përdorimi i madh i rrjeteve sociale pa nevojë. Përdorimi apo lojërat online, që kanë edhe rreziqe brenda tyre, këto janë ndër rreziqet kryesore, deri te shikimi i pamjeve të papërshtatshme”, ka thënë Zymeri.

Teuta Zymeri drejton Qendrën për studime të Avancuara, që tash e disa vite punon në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe përdorimit të internetit nga ta.

Dhe megjithëse krahasuar me shumicën e prindërve, mund të konsiderohet e avancuar në njohuritë për teknologjinë, dhe internetin. Ajo e pranon se edhe vetë ndonjëherë ka dyshime në raport me fëmijët e saj.

“Vij nga fusha e teknologjisë, jam inxhiniere e informatikës, por derisa vet nuk kalon në këto problematika, ka raste kur edhe me fëmijët e mi nuk di si të sillem, prapë ka situata që jam në dilemë për përdorim të teknologjisë. Një pjesë e madhe e prindërve nuk e kanë idenë për problemet që janë në internet. Problemet që i shohin janë shëndetësore, me sy, boshtin kurrizor …moskryerja e obligimeve shkollore. Por, për problemet që janë brenda internetit, një pjesë e madhe e prindërve nuk kanë njohuri”, thotë Zymeri.

Në një prej raporteve të vitit të Qendrës për Studime të Avancuara të vitit 2016 kishin dalë të dhëna interesante për format e përdorimit të internetit nga fëmijët.

Shembull, 87 % e tyre përdornin telefonat mobilë, ndërsa vetëm dy vjet më herët, kjo përqindje ishte në vetëm 57.

Një e dhënë më shqetësuese ishte ajo e rritjes së përdorimit të pajisjeve me internet nga 60 % në 79 në dhoma të fjetjes, ku edhe monitorimi nga prindërit është më i vështirë, krahasuar me dhomën e ndejës.

Shumë prej tyre tashmë kanë hasur në përmbajtje joadekuate për moshën e tyre dhe kanë pasur edhe kontakte me persona të panjohur, çka paraqet rrezik tjetër.

Por edhe rastet e ngacmimit që nisin në rrjete sociale, shpesh kanë gjetur rrugën në ambiente shkollore, dhe kanë rezultuar në sjellje të dhunshme nga nxënësit.

Dhe një numër i madh, nuk raportohen.

Ndër bashkëpunëtorët e Qendrës për Studime të Avancuara, është edhe Këshilli i Nxënësve të Kosovës që ka implementuar disa projekte nga kjo fushë.

Dy prej nxënësve që kishin ndjekur trajnimin “Siguria në internet” janë edhe Samir Selmani e Guxim Hajrullahu, tanimë studentë, që i tregojnë përvojat e tyre.

“Për mu personalisht, kisha mujt me thonë që ka ndryshu mënyra e qasjes në rrjete sociale, sepse kemi mësu qysh me rrit privatësinë, insta, snap, facebook. Mesazhin e njëjtë e kemi përcjellë në shkolla fillore”, ka thënë Samir Selmani, vullnetar në KYC.

“Aspekti që më ka munguar e të cilin e kam fituar gjatë trajnimit, ka qenë bisedat që i kam zhvilluar me njerëz të panjohur, ndërsa gjatë trajnimit kam përfituar njohuri se si të mbrohemi nga këto biseda, rreziqet të cilat mund të na kanosen nga njerëz që nuk i njohim, por edhe njohuri mbi privatësinë në rrjete sociale”, shton vullnetari tjetër i KYC, Guxim Hajrullahu.

Ditjon Fetahu, menaxher projektesh në Këshillin e Nxënësve të Kosovës, thotë se është shfaqur fenomeni i ngacmimeve online që ndërlidhen me aktivitete shkollore.
“Fatkeqësisht është t’u u shfaq fenomeni i cybebyllying, ose ngacmimeve online që ndërlidhen me aktivitete shkollore. Ta kemi parasysh që rrahje të mëdha kanë fillu nga ngacmimet online, që është ma problematike se nuk kontrollohet, se është personale. Sa i përket cyberbyllying, mund me vazhdu e mos me e dit kush”, u shpreh Fetahu.

Edhe profesori Arënliu, tregon se nga hulumtimet e bëra, një përqindje e lartë e fëmijëve ishin veçse pre e ngacmimeve online.

“Diku rreth 10-12 % e fëmijëve kanë raportu se janë viktimizu përmes internetit/telefonit ose rrjeteve, në përqindje, me vendet tjera i kemi krahasu. Jemi diku aty”, ka thënë profesori Aliriza Arënliu.

Ardita Kabashi punon në Qendrën për Arsim të Kosovës, duke filluar me projektin e saj të ri “Së bashku kundër abuzimit të fëmijës”.

Por, ajo është skeptike në idenë se koha e pandemisë ka mundur të shtojë gjasat për keqpërdorim të internetit nga më të vegjlit.

“Koha që e përdorin telefonin mobil ka qenë problematike, edhe ka me qenë edhe ma tutje, për shkak që po vazhdon me avansu.

Megjithatë, gjatë kësaj kohe u ka ndihmu shumë mendoj unë, pasi s’kanë pasë mundësi me u marr shumë me shkollë, i kanë pas prindërit aty, kanë pasë mbikëqyrje”, thotë Ardita Kabashi, menaxhere e Projektit në Qendrën për Arsim të Kosovës.

E një pikë ku pajtohet, është numri i ulët i rasteve të abuzimit të fëmijëve të raportuara, që, sipas saj, është në mospërputhje me numrat realë të rasteve.

“Javën e kaluar kemi pasë një trajnim të tri komunave përfituese, ka qenë edhe Ministria e Arsimit, e kemi kuptu që kanë qenë të raportuara vetëm 18 a 19 raste të abuzimeve. Kjo nashta prej frikës, sepse shumica e drejtorëve mendojnë që kur ka abuzimeve mund të ndëshkohen shkollat ose drejtorët, përkundrazi ata mundem me shtu dhunën/abuzimin. Do të bëjmë çmos që të ketë më shumë raportime. Këtë e kemi në fokus të projektit”, ka shtuar Kabashi.

Ditjon Fetahu shprehet se nuk ka rrugë dedikuar për raportimin e ngacmimeve të tilla, e që për rrjedhojë, përfundojnë ndonjëherë edhe në polici.

“Kemi mungesë të mekanizmave që i kanë nxansat, për me i raportu ngacmimet, dhe vazhdojnë me diskutime prapa shkollave mes nxansave, dhe dalin te institucioni i fundit që ish desht meu marr me këtë punë, e që janë policia dhe organet e rendit”, pohon Fetahu.

Në Kosovë, në dekadën e fundit, janë ndërmarrë disa iniciativa që tërthorazi e kanë prekur këtë problematikë.

Së voni është miratuar edhe Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, por që i njëjti ligj ka mbetur pa u plotësuar në rregullimin e disa pikave kyç të kësaj problematike.

Gjithashtu edhe strategji e plane veprimi ishin bërë në vitet e fundit, si strategjia Shtetërore për Sigurinë Kibernetike dhe Plani i Veprimit 2016 – 2019, Plani strategjik për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet në internet 2015-2019.

Ky i fundit gjithashtu parashihte edhe krijimin e një sistemi të thirrjeve në numrin e telefonit 11, në mbrojtje të fëmijëve – viktimë të abuzimit.

“Ne kemi lobu shumë që të bëhet një hotline, helpine, që në këtë kohë do të ishte shumë i nevojshëm, ku kishin me thirr fmijt, nëse problematika do të ishte e madhe. Nuk jon kriju fatkeqësisht. Fatkeqësisht në Kosovë nuk ka mekanizma që do të duhej të ishin ekskluzivisht për këtë fushë. Nuk kemi agjenci që merret ekskluzivisht me mbrojtjen e fëmijëve. Kemi mekanizma të shpërndara, por jo një të vetëm”, thotë Teuta Zymeri, drejtoreshë në Qendrën për Studime të Avancuara.

Trendi i mësimit online, në veçanti gjatë pandemisë, sipas profesorit Arënliu, do të duhej të përcillej me hapa konkretë nga institucionet, që adresojnë sfidat e kësaj fushe.

“Pandemia, ka sfidu jo veç Kosovën, po edhe shtetet tjera, për me pa që kurrikulat ekzistuese, janë kogja disproporcionale, me mësimin online. Për faktin që kemi rritje të përdorimit të internetit, automatikisht nënkupton që edhe politkbërësht të veprojnë në këtë drejtim. Nuk po kërkojmë mrekullina, por thjeshtë të ketë video psiko-edukuese si të raportohen ngacmuesit e e ndryshëm në rrjete sociale, që gjinden lehtë, dhe njerëzit mund të mësohen prej tyre. Tjetra ka të bëjë me rritjen e një mendimi kritik për internetit, që shumë shtete po e zbatojnë. Që është një pjesë ku në nivel të politikës, jemi mbrama në këtë drejtim, besoj se edukime të tilla, mund të ëprfshijnë edhe pjesë/pikë që i ndihmon të ruajn vetëm dhe të raportojnë abuzuesit e mundshëm”, është shprehur Arënlliu.

Dhe barra kryesore sërish është mbi prindërit, që të hulumtojnë e të gjejnë mënyra që të ruajnë fëmijët e tyre, kryesisht duke nxitur komunikim të shëndoshë.

“Në këtë situatë, intervenimet janë të natyrës së dyfishtë, pra të çështjeve teknike, kërkon njohuri teknike prej prindërve, në kuptimin që shumica e browserit mund të kontrollohet se në cilat faqe të shkohet ose të mos shkohet. Një rekomandim që shpesh e gjeni, ka të bëjë me përshtatshmërinë e moshës për përdorime të aplikacioneve të ndryshme. Këtu ka një ‘common sense’, dhe e fundit, jo shumë teknike, duhet prindi ta dijë se çka po bon në internet … dhe të flas rahat për atë që është duke e përjetu. Mbase fëmija ka frikë me ia thënë … edhe nuk ka me e thënë atë që është dike e përjetuar”, ka shtuar ai.

Për çdo rast, në ueb-faqen e Qendrës për Studime të Avancuara, janë një sërë udhëzuesish si për prindërit, po ashtu edhe për fëmijë e mësimdhënës, për rritjen e sigurisë së fëmijëve në internet.