SHËNDETËSIA

Si ta parandaloni koronavirusin!

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka theksuar dhe njëherë se në vendin tonë nuk është asnjë rast me koronavirus.

Pavarësisht kësaj, ka dhënë disa rekomandime për ta parandaluar atë.

IKShPK rekomandon të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes.

“Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!. Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga infeksionet respiratorë”, thuhet në njoftim.

Rekomandohet t’i lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.

“Lani duart porsa hyni në shtëpi. Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit. Lani duart pas përdorimit të tualetit. Lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre. Evitoni përdorimin e tualeteve publike. Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni”, rekomandon instituti.

IKShPK-ja, gjithashtu thotë se duhet t’i shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj, hidhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave.

“Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit. Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes. Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz”, thuhet në komunikatë.

IKShPK-ja gjithashtu rekomandon të pini sa më shumë ujë, lëngje e çaj me limon.

“Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike nëse përdorin transportin publik të përdorin maska. Gjatë udhëtimit përdorni ushqime të paketuara. Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë, zonat Lombardi, Veneta të Italisë apo zona të prekura nga COVID-19 brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore. Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës”, përfundon raporti i IKShPK-së.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483