DOSSIER

“Si survejoheshin nga Sigurimi anëtarët e Partisë, u përgjohej jeta private, lidhjet që kishin dhe sherret në familje”, ministri që dha urdhrin dhe akuzat e Enver Hoxhës

Publikohet një dokument arkivor, nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili bën fjalë lidhur me aktivin e Partisë të mbajtur në qytetin e Korçës në tetorin e vitit 1948, pak kohë pasi ai kishte goditur “Grupin armiqësor të Koci Xoxes”, duke e akuzuar atë veç të tjerash, edhe se kishte vënë organet e Sigurimit të Shtetit mbi Partinë. 

Akuzat e Enverit ndaj Koci Xoxes dhe Nesti Kerenxhit, si ministër i Sigurimit të Shtetit, i cili kishte lejuar që vartësit e tij, shefa të Sigurimit, të shkonin nëpër Komitetet e Partisë dhe të kontrollonin të gjithë dokumentacionin e tyre, gjë e cila kishte ndodhur vetëm në Jugosllavi.

“Sigurimi i Shtetit është një sektor shumë i rëndësishëm i Partisë sonë, por kjo nuk do të thotë se, duke zgjedhur njerëz besnikë të Partisë për të punuar në këtë sektor, këta duhet të kenë nën kontrollin e tyre Partinë dhe njerëzit e tjerë që janë besnikë të Partisë, sa edhe ata është vetëm Partia ajo që i kontrollon të gjithë.

Kështu duhet kuptuar kjo çështje nga cilido, rrugë tjetër nuk ka. Shoku Nesti Kerenxhi në mbledhjen e Byrosë, pohoi se nga Ministria e Punëve të Brëndshme është lëshuar një qarkore, me anën e së cilës u rekomandohej të gjitha organeve të Sigurimit të Shtetit, që të kontrollonin anëtarët e Partisë në gjithë veprimtarinë dhe jetën e tyre private, lidhjet që ata kanë, grindjet në mes tyre ose në familje, jetën e tyre ekonomike, në se u mjafton rroga apo jo, të kontrolloheshin se mos, të shtyrë nga nevojat financiare, ata marrin të holla nga reaksionarët dhe bëhen vegla të armikut, etj”.

Kështu shprehej ndërmjet të tjerash Enver Hoxha në aktivin e Partisë së rrethit të Korçës në tetorin e vitit 1948, kur sapo kishte filluar të kritikonte dhe godiste “grupin armiqësorë të Koci Xoxes”, ku veç të tjerash ai e akuzonte edhe se “kishte vënë organet e Sigurimit të Shtetit, mbi Partinë”.

Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë që Memorie.al po e publikon të plotë ashtu siç ndodhet në Arkivin Qëndror të Shtetit, në atë mbledhje “shigjetat” e Hoxhës drejtoheshin edhe ndaj colonel Nesti Kerenxhit, figurës nr. 2 të Ministrisë së Brendëshme pas Koci Xoxes, (që kishte drejtuar eedhe Sigurimin e Shtetit) të cilin Enveri e përdori për të arrestuar Koci Xoxen, duke e lënë vetëm një muaj në postin e Ministrit të Punëve të Brendëshme dhe e shkarkoi e dënoi menjëherë, në një process ku u dënua dhe shefi I tij, Koci Xoxe.

Fjala e Enverit në aktivin e Partisë të Korçës në tetor 1948

Një rrezik tjetër që ka ekzistuar në Parti është qënja e sekretarit të Komitetit Qëndror për kuadrin, njëkohësisht edhe ministër i Punëve të Brëndshme. Në lidhje me këtë çështje në letrën e Bolshevikëve, drejtuar Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Jugosllave, thuhet: “është karakteristike që, sekretari i Komitetit Qëndror të Partisë për kuadrot, është Ministri i Sigurimit të Shtetit”. Me fjalë të tjera, kuadrot e Partisë janë vënë në fakt nën vëzhgimin e Ministrit të Sigurimit të Shtetit.

Sipas teorisë marksiste, Partia duhet të kontrollojë gjithë organet shtetërore të vëndit, duke përfshirë edhe Ministrinë e Sigurimit të Shtetit, kurse në Jugosllavi ngjet diçka e kundërt, se Partinë në fakt, e kontrollon Ministria e Sigurimit të Shtetit. Siç shihet nga kjo gjë shpjegohet që vetë veprimtaria e masave të Partisë në Jugosllavi, qëndron jo në nivelin e duhur. Kuptohet që nuk mund të konsiderojmë marksist- leninist Bolshevik, një organizim të këtillë të Partisë Komuniste.

Ruajtja e një forme të tillë organizimi i ka sjellë Partisë sonë dëme të mëdha. Pa hyrë në hollësi dhe pa dhënë shembuj që ka mjaft, duhet pranuar se të gjitha gabimet, për të cilat fola gjatë referatit tim, janë të lidhura dialektikisht me qënjen e sekretarit organizativ edhe si ministër i Punëve të Brendshme. Këtë gabim me rëndësi duhet ta njohim mirë, pse prej tij kanë rrjedhur shumë gjëra të këqia, si mbytja e kritikës dhe e autokritikës, mungesa e demokracisë së brendëshme të Partisë, hyrja e metodave ushtarake dhe të tjera të këqia. Këtë duhet ta njohim dhe ta kuptojmë drejt, përndryshe do të ketë rreziqe edhe në të ardhshmen. Sa për shembuj, që ilustrojnë gabimet që janë bërë në këtë drejtim, mund të japim plot.

Është ngritur për shëmbull, çështja se gjoja anëtarët e Partisë që punojnë në organet e Sigurimit të Shtetit, janë më besnikët e Partisë. Po të shtrohet kështu çështja, është krejt e gabuar. Po pse është ngritur kjo çështje në këtë mënyrë? Unë them se kjo e ka origjinën në gabimin e organizimit tonë që pamë më lart. S’ka dyshim se shokët që punojnë organet e Sigurimit të Shtetit, janë besnikë të Partisë dhe ata duhet ta kryejnë detyrën me besnikëri, por kjo nuk do të thotë aspak se anëtarët e tjerë të Partisë, që punojnë në sektorë të ndryshëm, janë më pak besnikë se ata.

Sigurimi i Shtetit është një sektor shumë i rëndësishëm i Partisë sonë, por kjo nuk do të thotë se, duke zgjedhur njerëz besnikë të Partisë për të punuar në këtë sektor, këta duhet të kenë nën kontrollin e tyre Partinë dhe njerëzit e tjerë që janë besnikë të Partisë, sa edhe ata është vetëm Partia ajo që i kontrollon të gjithë. Kështu duhet kuptuar kjo çështje nga cilido, rrugë tjetër nuk ka. Shoku Nesti Kerenxhi në mbledhjen e Byrosë, pohoi se nga Ministria e Punëve të Brëndshme është lëshuar një qarkore, me anën e së cilës u rekomandohej të gjitha organeve të Sigurimit të Shtetit, që të kontrollonin anëtarët e Partisë në gjithë veprimtarinë dhe jetën e tyre private, lidhjet që ata kanë, grindjet në mes tyre ose në familje, jetën e tyre ekonomike, në se u mjafton rroga apo jo, të kontrolloheshin se mos, të shtyrë nga nevojat financiare, ata marrin të holla nga reaksionarët dhe bëhen vegla të armikut, etj.

Një orientim i tillë shumë i gabuar, për të cilin Koci Xoxe ka një përgjegjësi të madhe, i vinte anëtarët e Partisë në të vërtetë nën vëzhgimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nën mbikqyrjen e kësaj ministrie. E gjithë kjo mjafton të vërtetojë vijën e gabuar në këtë drejtim. Por ka edhe shumë veprime të tjera që Koci Xoxe si sekretar i Partisë për kuadrot, ka lejuar të zhvillohen në këtë drejtim shumë të gabuar. Në mbledhjet e celulës së Ministrisë së Punëve të Brendëshme, që është një celulë si e gjithë dikastereve të tjera, nuk mund të shkonte përveçse një njeri i caktuar i Komitetit të Partisë të dikastereve që kishte lidhje nga ana e funksionit të tij me Ministrinë e Punëve të Brëndëshme.

Duke qenë se Komiteti i Partisë i dikastereve nuk mund të kontrollonte punën e Partisë në celulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, është e qartë se Partia nuk mund të kontrollonte punën e saj në këtë ministri. Pse ngjiste një gjë e tillë? Kjo ngjiste sepse mbledhja e celulës së këtij dikasteri, nuk ishte një mbledhje Partie, ku të rriheshin problemet e Partisë në dikaster. Mbledhjet e celulës në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, kishin një karakter thjeshtësisht punë Sigurimi. Raportet që i vinin Komitetit të Partisë për dikasteret, ose Komitetit Qëndror, nuk ishin raporte partie, nëpërmjet të cilave të shihej si ecte puna e Partisë në këtë dikaster, por raporte për persona.

Në rastin kur anëtari i një komiteti qarkor të Partisë nuk ishte në pozita të shëndosha partie, por në ato të armikut, me gjithë kërkesat e vazhdueshme të Seksionit të kuadrove të Komitetit Qëndror për ta këqyrur këtë punë nga Ministria e Punëve të Brendëshme, është përgjegjur se ky seksion i Komitetit Qëndror, s’duhet të interesohet për këto çështje, pasi atë e ka marrë në dorë Sigurimi për ta zgjidhur. Si mund të lejohet që Partia, Komiteti Qëndror më ekzaktësisht, të mos interesohet për çështjen e një komiteti qarkor, ku punët nuk shkojnë mirë, ku paraqiten çrregullime, abuzime ose ka punë armiqësore? Partia duhet të bëjë punën e vet deri në fund dhe Sigurimi gjithashtu të kryejë detyrën që i ka ngarkuar Partia deri në fund. Këto dy veprime duhet të koordinohen dhe të puqen përsëri në një vend, në Komitetin Qëndror të Partisë. Është Partia që do diktojë drejtimin Sigurimit, do ta kontrollojë atë dhe jo sigurimi t’i diktojë Partisë vullnetin dhe pikëpamjet e tija.

Nuk lejohet që sigurimi të ndjekë çështjen e një elementi armik të futur në Parti dhe kjo të vazhdojë ta konsiderojë atë si një anëtar të shëndoshë të vetin, etj. Në rast se rrethanat e lypin që për një kohë duhet mbajtur konspiracioni për të zgjeruar hetimet dhe për të zbuluar rrethin më të gjerë të këtij armiku të infiltruar në Parti, Sigurimi nuk mund të veprojë pa vënë në dijeni udhëheqjen e Partisë, e cila të marrë masat që gjykon të arësyeshme, për të koordinuar punët në këtë drejtim. Sigurimi nuk mund të veprojë kurrë i shkëputur nga Partia dhe nga drejtimi i sigurtë i saj.

Tipike gjithashtu janë rastet që kanë ngjarë në Shkodër dhe në Berat, ku shefat e Sigurimit kanë shkuar dhe kanë kontrolluar zyrat e Komiteteve të Partisë për të parë se në ç’gjendje ishin dhe si mbaheshin dokumentat e Partisë. Tipike janë edhe raportet që i vinin Sigurimit të Shtetit nga shefat e Sigurimit në qarqe, në të cilat raportohej mbi gjendjen e anëtareve të Komiteteve të Partisë të këtyre qarqeve. Mund ta marrim me mënd se çfarë kritike dhe autokritike dhe çfarë demokracie e brendëshme mund të ekzistonte në Partinë tone, në një situatë kaq të rëndë në Parti, të krijuar nga këto akte të palejueshme dhe antimarksiste.

Këtu nuk duhet të kemi iluzione dhe të mbrohemi ose të fshehim një gjë që s’e fshehim dot. Në Partinë tonë ka pasur frikë të flitej hapët, të kritikohej pa drojtje, ose të bëhej autokritikë e drejtë, pse shpesh autokritika, në vënd që ta rehabilitonte shokun fajtor, e denonte atë ca më tepër, sepse kthehej në armë për ta goditur arbitrarisht atë që bënte autokritikën. Prandaj heshtej, fshiheshin gabimet, krijohej mosbesim ndaj shokëve deri në drejtësinë e Partisë. Shokë të vjetër komunistë, me lot në sy kanë kërkuar të heqin dorë nga postet që u kishte ngarkuar shteti, pse shikonin që bëheshin veprime të padrejta. Ata drejtoheshin deri në instancën më të lartë të Partisë, por dhe atje nuk dëgjoheshin me vëmendje.

Çështje alarmante kjo, që duhet të na bëjë të mos na zërë gjumi, të japim alarmin në Parti për të luftuar pamëshirë këto tendenca antimarksiste. Dhe këto do t’i luftojmë, duke i vënë Partisë në duart e saja armën e sigurtë të kritikës dhe të autokritikës së shëndoshë, ashtu siç na mëson Stalini i madh. Disa shokë konfondojnë rolin e Partisë me atë të Sigurimit dhe i quajnë jo të gabuara veprime të tilla, që nuk janë veçse veprimtari policore. Partia duhet të jetë vigjilente, të kontrollojë veprimtarinë e çdo anëtari të saj për të mbrojtur radhët e veta, por nuk duhet harruar roli i madh edukues i saj.

Ne dimë se ka anëtarë të mirë, por ka edhe të dobët, që mund të largohen nga Partia. Detyra e Partisë është që, me një punë të madhe edukative, me një kujdes të veçantë për rritjen e kuadrove, ashtu siç na mëson Stalini, të kujdesemi për kuadrot si bahçevani i mire që kujdeset për pemën, që e ujit, e krasit dhe e rrit me një dashuri të madhe, të bëjmë të gjitha përpjekjet që këta anëtarë partie t’i ndreqim dhe t’i hedhim jashtë Partisë, vetëm atëhere kur nuk kanë asnjë shërim dhe asnjë vlerë për Partinë. Në Partinë tonë, si në të gjitha partitë e tjera, ka anëtare partie që janë dënuar për faje të rënda që kanë bërë, por që nuk kanë marrë dënimin maksimal, nuk janë nxjerrë jashtë Partisë. Këta anëtarë janë si njerëzit që kanë hequr një sëmundje të rëndë, ndaj të cilëve detyra e doktorit është t’i shërojë me të gjitha forcat, t’u japë jetë dhe fuqi. Kështu duhet të veprojë Partia me këta njerëz, t’i shërojë dhe jo t’u japë shqelmin. Partia, derisa s’i ka përjashtuar nga gjiri i saj, ka kurdoherë shpresë në ta.

Stalini na mëson se njerëzit mund të korrigjohen dhe këtë ne e njohim nga historia e partive politike. Te ne nuk është vepruar kështu, në rrugën e drejtë të Partisë. Njerëzit që janë dënuar për fajet që kanë kryer, janë përbuzur e izoluar, bile është dhënë urdhër që ata të vëzhgohen nga të katër anët çfarë bëjnë, me kë piqen etj., etj. Këto janë tamam metoda policore, që s’kanë të bëjnë me rolin edukues dhe me vigjilencën e shëndoshë të Partisë. Në rast se ne nuk e kuptojmë drejt këtë çështje, atëhere i kemi shndërruar komitetet dhe celulat e Partisë në zyra të thjeshta të policisë dhe të Sigurimit. Duhet të kuptojmë mirë se futja e metodave të tilla në Parti, çon në goditjen e hapët të parimeve marksiste-leniniste të ndërtimit të Partisë.

Por duhet të kuptojmë mirë edhe rolin e detyrat e organeve të Sigurimit të Shtetit. Këto organe drejtohen nga Partia, ashtu si çdo organ tjetër shtetëror; ato janë organe të ngarkuara me detyra të mëdha për mbrojtjen e fitoreve të luftës, për mbrojtjen e Republikës sonë Popullore, për mbrojtjen e pushtetit popullor nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm. Ato duhet të konsiderohen e të dashurohen si të tilla dhe të ndihmohen në punën e tyre për të mos i lënë asnjë rast armikut të na dëmtoje. Kjo është detyrë e të gjithëve. Arma e Sigurimit të Shtetit është një armë shumë e vlefshme dhe e dashur e Partisë sonë, sukseset e saj në plotësimin e detyrave, që prej ngritjes së saj e tëhu, duhet të çmohen drejt. Kështu duhet ta kuptojë këtë çështje e gjithë Partia. Duhet të ngrihet në një shkallë më të lartë vigjilenca revolucionare në Parti, për të ruajtur vijën e Partisë, për të ruajtur Partinë nga shtrembërimet që mund t’i bëhen vijës së saj, për të ruajtur Partinë nga goditjet e armiqve të jashtëm dhe të brendshëm.

Partia Bolshevike e Lenin-Stalinit na ka dhënd shembullin e shkëlqyer se si ruhet uniteti dhe vija e Partisë në çdo kohë nga armiqtë e betuar të saj e të proletariatit. Në shembullin e Partisë Bolshevike duhet të forcojmë edhe ne vigjilencen revolucionare në Partinë tonë. Duhet të likuidohen sa më parë metodat policore të vigjilencës që e kufizojnë këtë dhe që në të vërtetë nuk mund ta ruajnë Partinë si duhet. Në këtë drejtim duhet të kuptohet edhe informacioni në Parti, d.m.th. jo një informacion me karakter policor, por një informacion që t’i japë Partisë të gjitha mundësite që ajo të shohë qartë si zbatohet vija e saj, të nxjerrë në shesh shtrembërimet dhe gabimet dhe të mund të marrë me kohë masat e nevojshme. Të jesh vigjilent do të thotë të zbulosh shtrëmbërimet e vijës së Partisë, të zbulosh punën armike e antiparti. Partia të bëjë që çdo anëtar partie të mësojë se ajo ruhet duke ruajtur të pastër vijën e saj marksiste-leniniste./Memorie.al

koci2
koci1
koci
Vaske-Koleci-ne-gjyq-1948.bmp
Vaske-Koleci-ne-gjyq-1948.bmp

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483