Si i menaxhoi KEK-u 30 milionë euro subvencion për energjinë nga Qeveria; 7 milionë euro s’ka informata ku shkuan

“Nga fondi i ndarë prej 10 milionë euro, në dispozicion kanë mbetur 7 milionë euro, për të cilat ne nuk kemi të dhëna shtesë për shpenzimin e tyre.

KEK SHA nuk ka ofruar informata për menaxhimin e fondeve të ndara nga subvencionimi i energjisë për vlerën 7 milionë euro”.

Kështu thuhet në Raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Subvencionimi nga Qeveria

Nga vendimet e marra nga Qeveria e Kosovës, për subvencionin e energjisë (Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve) në tremujorin e fundit të vitit 2021 si dhe në periudhën 09 janar – 08 maj ishin realizuar pagesat në vlerë 34.5 milionë euro.

24.5 milionë ishin realizuar ne tremujorin fundit të vitit 2021, ndërsa, në periudhën 01 janar – 08 maj ishin realizuar 10 milionë euro.

“Prej tyre 30 milionë euro për KEK SHA(për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë) dhe 4.5 milionë euro për KESCO SHA(në kuadër të masës 3.2 – Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale)”, thuhet në raport.

Menaxhimi i 20 milionëve nga KEK-u

Marrëveshja e parë mes KEK-ut dhe KESCO-s për blerje te energjisë elektrike nga importi me fondet e subvencionit të Qeverisë ka filluar te zbatohet nga data 24.12.2021 dhe ka vazhduar deri me 11.01.2022.

“Bazuar në marrëveshjen e lartcekur mes KEK SHA dhe KESCO SHA, KEK SHA ka realizuar blerjen e energjisë elektrik nga importi dhe ka furnizuar KESCO me të njëjtën energji elektrike për te mbuluar nevojën e konsumit për shërbim universal. Për çdo Megawatt për orë (MWh) të energjisë elektrike furnizuar KEK SHA ka faturuar KESCO SHA me çmim prej 90 euro/MWh në përputhje me kushtet e marrëveshjes”, thuhet në raport.

Pra, deri me datë 11 janar 2022, KEK-u ka furnizuar KESCO-n me 67,318 MWh, energji të cilën e ka blerë përmes importit, ose në vlerë me çmim të treguat 16.6 milionë euro.

Nga kjo vlerë KEK-u ka faturuar KESCO-n 6.1 milionë euro.

“Për mjetet e lira në vlerë në vlerë 9.5 milionë euro, KEK SHA dhe KESCO SHA kanë nënshkruar marrëveshjen e dytë, (ka filluar të zbatohet nga data 12.01.2022), sipas të cilës KESCO ka filluar të blejë energjinë elektrike nga importit, derisa KEK SHA nga fondet e ndara nga subvencionimi i Qeverisë së Kosovës do të paguajë diferencën në mes të çmimit të kontraktuar 90 euro/MWh dhe çmimit të realizuar nga importi”, thuhet në raport.

Nga marrëveshja e dytë nga data 12.01.2022 – 22.01.2022 janë importuar 59,402 MWh energji elektrike dhe për këtë sasi KEK-u është ngarkuar me shumë prej 9.5 milionë eurove.

Pra, bazuar nga dy marrëveshjet në mes te KEK-ut dhe KESCO-s, theksohet se janë realizuar pothuajse të gjitha fondet më përjashtim të vlerës prej 14,631 euro, të cilat janë bartur tek marrëveshja vijuese prej 10 milionë euro.

Menaxhimi i 10 milionëve nga KEK-u, 7 milionë prej tyre s’ka informata ku shkuan

Sipas raporti të Komisionit, nga subvencioni i ndarë në shumë prej 10 milionë eurove, përgjatë periudhës 24.01,2022 deri 23.03.2022 janë importuar gjithsej 18,025 MWH energji elektrike, ndërsa KEK-u është ngarkuar me 3 milionë euro për diferencën mes çmimit të importit dhe çmimit prej 90 euro/ MWh.

Në raport thuhet se nga fondi i ndarë prej 10 milionë euro, në dispozicion kanë mbetur 7 milionë euro, për të cilat ne nuk kanë të dhëna shtesë për shpenzimin e tyre.

Pra, Komisioni gjatë procesit të rishikimit të dokumentacionit lidhur me menaxhimin e mjeteve financiare të subvencionuara nga Qeveria për emergjencë të furnizimit të energjisë, ka identifikuar 6 çështje, ku njëra ndër to është se “KEK SHA nuk ka ofruar informata për menaxhimin e fondeve të ndara nga subvencioni i energjisë për vlerën 7 milionë euro”.

Gjithashtu, raporti ka identifikuar se ndarja e “subvencionimit për KEK SHA në vlerë 30 milionë nga Qeveria e Kosovës për mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, ka krijuar procedura të panevojshme administrative, për shkak se misioni i KEK SHA është krijimi i prodhimit të qëndrueshëm të energjisë elektrike, derisa furnizimi i energjisë elektrike kryhet nga KESCO SHA, kompani e cila ka mandatin e furnizuesit publik. Si rrjedhojë e procedurave të panevojshme administrative, KEK SHA vetëm pas 18 ditëve nga marrëveshja e parë me KESCO SHA (importimi i energjisë elektrike nga KEK SHA për KESCO SHA) është detyruar të lidhë marrëveshjen e dytë me KESCO SHA, sipas të cilës KESCO SHA ka importuar energjinë elektrike derisa KEK SHA nga fondet e ndara nga subvencioni i Qeverisë se Kosovës ka paguar diferencën në mes të çmimit të kontraktuar 90€/MWh dhe çmimit të realizuar nga importi. Megjithatë me Vendimin nr. 01/60 i datës 05 shkurt 2022, ndarja e mjeteve për 90 milionë euro për të ulur ndikimin e tarifave të energjisë të konsumatorët, ishte alokuar direkt për KESCO SHA”.

Gjithashtu, Komisioni ka vërejtur diferencën në raportimin e energjisë elektrike të importuar për periudhën 12.012022 – 31.01.2022.

“Gjatë krahasimit të raportimit në mes të të dhënave nga KEK SHA në dokumentin (Raporti përmbledhës i importit të energjisë elektrike për periudhën 24 dhjetor 2021 deri në mars 2022) dhe të dhënave të ofruara nga KESCO SHA, në dokumentin (Importi_Tregtarët), është vërejtur diferencën në raportimin e importimit të energjisë elektrike për periudhën 12.01.2022-31.01.2022, në sasi 831MWh, ose për 186,456 euro. Diferenca e raportuar ishte brenda datave 23.01.2022 dhe 26.01.2022”.

Go to TOP