Kuriozitet

Si dukeshin qytetet e Kosovës para 100 vjetëve? Profesori norvegjez publikon fotografi që pakkush i ka parë

Profesori për studimin e mediave në Norvegji, Keneth Andresen, në biografinë e tij të shkurtër të Twitter e përshkruan vetën si koleksionues të kartolinave nga Kosova.

Lidhja e tij me Kosovën u krijua para 22 vitesh. Andresen, siç ka treguar në postimet e tij, në Kosovë ka punuar gjashtë muajt e parë pas çlirimit, në vitin 1999. Gjithë këto vite, ai nuk e ka harruar punën e tij në këtë shtet, e kujtimet i ndan çdo ditë nga pak.

Kenneth në rrjetin social “Twitter” vazhdimisht publikon fotografi të qyteteve të ndryshme të Kosovës të shkrepura dekada më parë, e të printuara në formë të kartolinave.

Ai ka arritur të grumbullojë në sirtarin e tij rreth 1500 fotografi e kartolina nga më të ndryshmet; të veshjeve, ushtarëve, shesheve të qyteteve, manastireve, kishave, urave e rrugëve të vjetra, të cilat janë deri në 100 vjet të vjetra.Reklamë

Në koleksionin e Andresen, mund të gjendet Prishtina e kohëve të ndryshme. Disa prej kartolinave janë më të vjetra se gjysmëshekulli.

Kartolinë e vitit 1970-të, e dërguar në Osijek më 15 shtator
Qendra sportive “Boro dhe Ramiz” në Prishtinë, e shkrepur në vitin 1977
“Grmija Mall” e ndërtuar në vitin 1972
Kartolinë e ish-pishinës në qendër të Prishtinës, afër “Grand Hotel” që ndodhet sot
Bibloteka Kombëtare e Kosovës gjatë ndërtimit të saj në fund të viteve 1970
Kartolinë e dërguar më 21 gusht të 1988-tës, nga Prishtina në Ljubljanë
Kartolinë nga Prishtina gjatë viteve 1970-të

Ndërsa të qytetit të Prizrenit janë fotografitë që datojnë nga viti 1963, ku është fotografuar nga lartësia Prizreni dhe shihet njëra pjesë e qytetit dhe ura e vjetër. Po ashtu, edhe fotografi të tjera nga shatërvani në fund të viteve 70-të, e rrugët të shtruara me kalldrëm.

Fotografi e qytetit të Prizrenit e shkrepur në shtator të 1863-tës
Kartolinë e vjetër nga Prizreni e dërguar ne Breslua më 31 maj të vitit 1933
Fotografi nga shatërvani gjatë viteve 1970-të
Fotografia e një gruaje të Prizrenit e cila daton që nga 15 gushti i 1961-të
Fotografi e vjetër nga qendra e Prizrenit rreth vitit 1920-të

Në koleksionin e gazetarit norvegjez për qytetin e Ferizajt figuron një kartolinë e viteve të 60-ta dhe disa të tjera të shkrepura ai vetë gjatë vitit 2000, ku edhe janë mbajtur zgjedhjet e para lokale pas luftës.

Kartolinë nga qyteti i Ferizajt gjatë vitit 1960-të
Fotografi nga dita e zgjedhjeve më 28 tetor 2000 në Ferizaj

Kartolinë origjinale nga viti 1920-të i “Urës Fshajt” mbi lumin Drin i Bardhë, afër Gjakovës. Në Luftën e Parë Botërore u shkatërrua dhe në 1942 u rindërtua, por ajo u dëmtua përsëri në 1999 dhe më pas u restaurua nga KFOR. Kjo urë është e famshme për garat e zhytjes së lartë.

Kartolinë nga viti 1920 i Urës Fshajt
Kartolinë e vjetër dhe e rrallë nga Gjakova më 20 tetor 1927

Po ashtu edhe në qytetin e Vushtrrisë kartolinat e gazetarit norvegjez, Andresen, datojnë që nga viti 1920 dhe monumenti i “Sahat Kullës”, e cila është bërë në gusht të 1962.

Kartolinë e Vushtrrisë nga viti 1920-të
Kartolinë e Vushtrrisë e dërguar në Ljubjanë më 7 Shkurt 1975
Vushtrri, “Sahat Kulla” Gusht 1962

Nga rrafshi i Dukagjinit, kartolinat e qytetit të Pejës datojnë nga viti 1962/63 të cilat janë dërguar tek të afërmit e tyre, një kartolinë e Pejës e cila është në koleksionit e gazetarit norvegjez dhe është dërguar në Osijek të Kroacisë në vitin 1963, po ashtu edhe tjetra e vitit 1982 e cila përfshinë disa pjesë të qytetit gjatë asaj kohe.

Kartolinë nga qendra e Pejës e dërguar në Osijek të Kroacisë më 16 Maj 1963
Kartolinë nga Peja, e cila daton më 14 Maj 1982 dhe është dërguar nga Peja në Zagreb

E që gjithashtu edhe disa fotografi e kartolina të veshjeve kombëtare gjatë viteve 1970 të shkrepura në Prizren, Pejë, Prishtinë.

Fotografi në Urën e vjetër të Gurit (Ura e Gurit) në Prizren në Prill, 2001
Fotografi e veshjeve tradicionale – Pejë viti 1978
Fotografi nga Prishtina e vitit 1970 – veshje tradicionale
Veshje tradicionale shqiptare nga viti 1970, kartolinë e printuar në Itali

Dhe nga një kartolinë të qyteteve si Gjilani, Lipjani, Mitrovica, Fushë Kosova të dërguara jashtë trojeve shqiptare.

Fotografi nga Gjilani në fund të viteve 1970, e botuar me një broshurë turistike më 1978
Kartolinë nga Lipjani gjatë vitit 1970
Kartolinë nga Mitrovica gjatë luftës së parë boterore, 25 shkurt 1917
Kartolinë nga Fushë Kosova e vitit 1961
Fotografi nga Parku i Karragacit në Pejë nga vitet 1970
Fotografi e vjetër nga Kosova që shënon prillin e vitit 1938-të

Po ashtu në koleksionin e tij të Kosovës, ai ka publikuar edhe një fotografi të shkrepur nga vetë ai më 18 shtator të 1999-tës, pranë Stadiumit të Prishtinës i cili tani mban emrin e legjendës “Fadil Vokrri”. Në mbishkrimin e kësaj fotografie ai ka treguar datën dhe ka cekur që pas fitores së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku kanë qenë të pranishëm mbi 50 mijë persona.

Stadiumi i Prishtinës në Kosovë, 18 shtator 1999, fotografi e bërë pas fitores së UÇK (mbi 50 mijë persona)

Të gjitha fotografitë dhe kartolinat janë të postuara nga vetë gazetari norvegjez.