SHËNDETËSIA

Si duhet ruajtur qetësinë dhe menaxhuar stresin në kohë Koronavirusi

Me gjithë ata tituj artikujsh që na rrethojnë, me gazeta që gjuajnë kush të përcjellë lajmin e parë dhe mediat tona sociale që po na izolojnë nëpër dhoma, ekziston rreziku i një infodemie, në të cilën përhapet keqinformimi.

Megan Silvestri, menaxhere programimi e Rrjetit të Stabilitetit në Seattle, Uashington, e cila vuan nga çrregullimet e ankthit dhe panikut dhe banon në një nga epiqendrat e përhapjes së koronavirusit në SHBA, e përshkroi më së miri: “Në fillim, më zuri ankthi në lidhje me situatën. U përpoqa të punoja nga shtëpia dhe nisa të lexoja artikuj të ndryshëm lajmesh. Nisi të më mbërthente një gjendje paniku”.

Ajo tha se përvojat me ankthin ndër vite kanë ndikuar në mënyrën se si i ka menaxhuar ndjenjat gjatë shpërthimit të virusit dhe rrugëtimi i saj në dy javët e fundit në Seattle nxjerr në pah edhe nevojën më të gjerë njerëzore për t’u ndier të lidhur. “Ajo që më ka ndihmuar vërtet është ideja se kam pranë njerëz tek të cilët kam besim dhe e di se do më dëgjojnë pa paragjykime”, tha ajo.

Silvestri tha se e ekuilibronte veten nëpërmjet tri gjërave: duke ditur fakte të besueshme, duke folur me njerëz të cilëve u beson dhe duke e qetësuar veten me lutje. Ajo shpjegoi: “Jam përpjekur të mos lexoj më tituj artikujsh. Jam përpjekur të jem e qëllimshme në ato çka lexoj”.

1.“Faktet minimizojnë frikën”

Mbi të gjitha, thirrja e përbashkët e të gjithë këtyre ekspertëve ishte se duhet të qëndrojmë të informuar nga burime të besueshme. “Ekzistojnë dy burime” shpjegoi Aiysha Malik, zyrtare teknike në Departamentin e Shëndetit Mendor dhe Përdorimin e Substancave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. “Njëri është OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë); dhe tjetri janë autoritetet tuaja kombëtare… Një mesazh që është përsëritur vazhdimisht për administrimin e frikës ndaj COVID-19 është njohja e fakteve. Faktet minimizojnë frikën”.

2.“Duhet t’i kthehesh gjithnjë kujdesit për veten”

Si mund të përballen me emocionet dhe stresin punonjësit e kujdesit shëndetësor në të gjithë botën, të mbingarkuar nga kërkesa e madhe? Shumë konsulentë përjetojnë dhimbje koke dhe të vjella kur përballen me stresin dhe emocione të mëdha, tha Yu Lei, një konsulent psikologjik në Spitalin e Përgjithshëm Daqing Oilfield, në Daqing, Provinca Heilongjiang, në Kinë. “Konsulentët përfshihen lehtësisht në situata të rënda dhe bien pre e ndjenjave të pafuqisë”. Ka edhe raste kur nuk mund të bëjnë dot asgjë. Për shembull, ndonjëherë, ata nuk mund të sigurojnë shtretër, maska dhe pajisje të tjera të nevojshme. Në kohëra të tilla, këshillimi psikologjik për ndërhyrje në rast krizash teston rritjen dhe aftësinë personale të një konsulenti”, tha Lei.

3. “Mendoni për shëndetin mendor si pjesë e përgjigjes së shëndetit publik”

Siç shpjegoi Aiysha Malik, një zyrtare teknike në Departamentin e Shëndetit Mendor dhe Përdorimit të Substancave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në një seancë online pyetje-përgjigje të organizuar gjatë kësaj jave, “është vërtet e rëndësishme ta shohësh shëndetin mendor, si pjesë e përgjigjes së shëndetit publik ndaj COVID-19”.

Ajo argumentoi: “Njerëzit që janë më të rrezikuar të përjetojnë stres gjatë kësaj kohe janë persona që vuajnë nga shqetësime ekzistuese të shëndetit mendor, ose nga varësia ndaj substancave apo përfaqësojnë grupe të tjera lehtësisht të cenueshme. Nuk bëhet fjalë vetëm për mbrojtjen nga COVID-19, por edhe për parandalimin e stresit dhe frikës gjatë kësaj periudhe”.

4.“Izolimi social shoqërohet me shëndet të dobët mendor”

Sandro Galea, profesor në Universitetin e Shëndetit Publik në Boston dhe një ekspert i shëndetësisë, i cili është përqendruar në aspektet sociale të shëndetit, shëndetit mendor dhe traumës, tha se nuk e hedh poshtë rrezikun e përhapjes së koronavirusit, por është gjithashtu e rëndësishme të merren parasysh rreziqet e papritura që lidhen me reagimin ndaj shpërthimit të sëmundjes. “Fakti që izolimi social shoqërohet me shëndet të dobët mendor është i padiskutueshëm”, shpjegoi ai.

Për më tepër, stresi i nivelit makro në të gjithë shoqërinë, mund të shkaktojë një barrë të rëndë sociale për grupe specifike. “Do të ketë pasoja afatmesme dhe afatgjata te njerëz të cilët janë të punësuar në sektorë si shitjet me pakicë dhe transporti”, shpjegoi ai. “Rritja e presioneve ekonomike, do të rezultojë në mënyrë të pashmangshme në një shëndet më të dobët mendor.”

5.“Duhet zhvendosur vëmendja nga numri i vdekjeve te numri i të shëruarve”

Shpesh duket se mungojnë historitë pozitive të personave që janë shëruar nga koronavirusi.

“Nuk po i dëgjojmë historitë e personave të shëruar” tha Ken Carswell, zyrtar teknik në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. “Duhet ta zhvendosim vëmendjen nga numri i vdekjeve te numri i të shëruarve”.Për më tepër, efektet negative të gjuhës stigmatizuese – siç është lidhja e virusit me një rajon ose përkatësi të caktuar etnike apo fajësimi i njerëzve për transmetimin e sëmundjes – vetëm sa përhapin ndjenjën e frikës në një nivel makro. Gazetarët, portalet e lajmeve dhe qytetarët e zakonshëm mund të ndihmojnë në rritjen e shpresës dhe qetësimin e frikës, duke u treguar të kujdesshëm në gjuhën që përdorin kur flasin për COVID-19./BURIMI “REVISTA MONITOR”