Kosova

Shyhrete Tahiri, e mbijetuara tjetër e dhunës seksuale në luftë, dorëzon kallëzim penal

E mbijetuara e dhunës seksuale e luftës në Kosovë, Shyhrete Tahiri Sylejmani, ka dorëzuar kallëzimi penal në Prokurorinë Speciale për Krime të Luftës.

“Jam këtu të ndaj me ju dhimbjen që kam në shpirt dhe dua t’u jap kurajë atyre që vuajnë si unë. Nuk është e lehtë aspak të ndash atë dhimbje të shpirtit që thyen zemrat e s’bëhen më kurrë bashkë. Jam këtu të kërkoj drejtësinë time”, tha ajo, duke i falënderuar të gjithë për përkrahje.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT-KRCT), Feride Rushiti, ndërkaq tha: “Asnjë person i vetëm nuk është ndëshkuar për këtë krim të luftës. Duam t’i mobilizojmë edhe gratë e burrat që të kërkojnë drejtësi për këtë krim lufte”.

Vitin e kaluar, e mbijetuara tjetër e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman, doli publikisht për të rrëfyer krimin e kryer ndaj saj, ndërsa rasti i saj bëri bujë ndërkombëtare.