Kombëtare

Shumë reagime për zgjedhjen e Idriz Beqirit në KRM “Ambienti” në Klinë

Këto tri diploma të Milaim Musliut nuk i mjaftuan komisionit të Kompanisë Regjionale për Mbeturina “Ambienti”, për ta përzgjedhur si menaxher të njësisë në Klinë.

Musliu, i cili edhe për dy vjet ka qenë ushtrues detyre në këtë pozitë, nuk arriti që të pranohet në konkurs dhe për këtë ai ka dërguar edhe ankesë në Gjykatë.

E punëtorët e kësaj ndërmarrjeje thonë se Idriz Beqiri, i cili është përzgjedhur menaxher i kompanisë rajonale në Klinë është nipi i kryetarit të komunës, Zenun Elezaj.

Por, pavarësisht pakënaqësive nga punëtorët e Kompanisë Regjionale për Mbeturina “Ambienti”, Idriz Beqiri ka arritur të përzgjidhet menaxher i kësaj kompanie në Klinë. KTV-ja ka provuar që të marrë një përgjigje gjatë së martës nga ai, por zyra e tij ka qenë e mbyllur.

Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që kjo ndërmarrje ka probleme me përzgjedhjen e stafit.

Më 29 maj konkursi për pozitën e menaxherit ishte anuluar nga Inspektorati i Punës dhe në vendimin që e ka siguruar KTV-ja, janë evidentuar një sërë shkeljesh përfshirë Udhëzimin administrativ për përzgjedhjen e tij.

Image result for Idriz Beqirit

Megjithëkëtë, në muajin gusht, shkalla e dytë e këtij institucioni, e kishte shfuqizuar vendimin paraprak, duke i lejuar Beqirit të vazhdojë punën si menaxher i ndërmarrjes për pastrim në Klinë, me arsyetimin se vendimi i parë nuk ka konstatuar drejt gjendjen faktike.

Punëtorët e kësaj ndërmarrjeje publike të hënën kanë mbajtur grevë tërë ditore, duke e kundërshtuar këtë vendim.

E, Idriz Beqiri në një përgjigje për “Kohën Ditore” ka mohuar se ka lidhje familjare me kryetarin e komunës dhe se afërsia e tij me AAK-në i ka ndihmuar ta fitojë punën.

“Unë u jam nënshtruar të gjitha procedurave të konkursit dhe jam përzgjedhur. Përzgjedhja ime nuk ka lidhje me afërsinë time me AAK-në, e as pretendimet që jam nip i kryetarit, se me këtë kompani nuk menaxhon Komuna, e as kryetari i Komunës. Por, në bazë të rregullores së KRM ‘Ambienti’, unë kam nënshkruar kontratën më 15 tetor dhe javën e kaluar kam filluar punën”, ka thënë Beqiri.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, nëpërmjet telefonit ka thënë për KTV-në se i përzgjedhuri nuk është familjar i tij, por janë nga fshati i njëjtë.

Kurse, kryeshefi ekzekutiv i KRM “Ambienti”, Nexhat Avdullahu, ka thënë se menaxheri është përzgjedhur në bazë të ligjit dhe kritereve dhe se e gjithë kjo është manipulim i punëtorëve nga personat që nuk janë pranuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.