Kosova

Shumë institucione shkollore në Kosovë, pa kompjuterë e internet

Ky kabinet i informatikës në shkollën “Ibrahim Rugova” në Obiliq ka gjithsej 20 kompjuterë. Që të gjithë janë të vjetërsuar dhe nuk i plotësojnë kushtet për mësim. Madje, në këtë kabinet mungon edhe rrjeti i internetit.

Mësimdhënësi i teknologjisë, Nusret Zeka, tregon se 14 vjet më parë kur e kishte filluar punën i kishte gjetur këta kompjuterë në kabinet. Mbajtja e orës me ta dhe në mungesë interneti thotë se është shumë problematike, raporton KOHA.

“Prej tyre 12 startohen pjesërisht për arsye se i kemi thuajse të demoduar, i takojnë kohës së hershme kanë sistemin operativ Windows XP që kështu që ka ditë që ristartohet por ka orë mësimore kur edhe nuk ristartohet. Duke e pasur parasysh që sot është shumë e nevojshme teknologjia moderne për zhvillimin e një ore mësimore besoj që kish me qenë shumë e arsyeshme me na pajisë me kompjuterë, me qëllim të vetëm që të zhvillohet një orë e shekullit 21”, thotë ai.

E në shkollën “Zenel Hajdini” në fshatin Gllavicë të Lipjanit, që është paralele e shkollës së Gadimes, nuk ka fare internet e as kompjuterë. Për këtë ankohen edhe mësimdhënësit.

“Për fat të keq nuk kemi qasje në internet e aq më pak të kemi kabinete të informatikës. Mjete të tjera si printeri e projektorët janë mungesë dhe për ne kjo paraqet një vështirësi duke pasë parasysh që kurrikula e kërkon vizualizimin, kërkon konkretizim të asaj që mësohet dhe sikur të kishte mjete të tilla ndoshta pamjet e vizuelizuara për nxënësit do të ishin më lehtë për ta dhe për ne”, thotë mësimdhënësja Zelije Bytyqi.

“Është shumë problematike për neve sepse nuk kemi asgjë nga teknologjia edhe na mungojnë të gjitha. E para të kemi internet se po nuk kemi ne s’do të mund të bëjmë asgjë. Besoj që është shumë i nevojshëm se tash teknologjia çdo kund ka arritur”, thotë Lumturije Sinani, mësimdhënëse.

Ministria e Arsimit nuk ka dhënë përgjigje se sa është numri i shkollave në Kosovë që janë të pajisura me internet e teknologji informative.

Plani strategjik i arsimit 2017-2021 thekson se sistemi arsimor karakterizohet me përdorim të ulët të teknologjisë dhe se ajo nuk është integruar si duhet në kurrikulë, mësimdhënie apo menaxhim të arsimit. Sipas këtij dokumenti, deri në vitin 2021 secila shkollë të ketë internet dhe të jetë e pajisur me teknologji.