Kosova

Shukri Buja ftohet nga Gjykata Speciale

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ftuar për intervistim në Hagë edhe Shukri Bujën, ish-komandantin e zonës së Nerodimes në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar vetë Buja, në një bisedë për Gazeta Blic.

Ai ka thënë se fillimisht është kontaktuar me anë të telefonit, kurse dje pasdite i ka ardhur ftesa me shkrim për t’u marrë në pyetje nga Prokurori i Gjykatës Speciale.

Buja për Gazeta Blic, ka thënë se intervistimi i tij do të ndodhë më 17 korrik në Hagë.

“Po e kam marrë ftesën nga Dhomat e Specializuar, konkretisht nga Prokurori i Specializuar. Fillimisht jam kontaktuar me telefon nga ai, ndërsa me shkrim e kam mar ftesën dje pasdite. Me 17 korrik është caktuar intervistimi im. Intervistimi do të ndodhë në Hagë e jo në Prishtinë”, ka thënë Buja për Gazeta Blic.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, ka thënë gjithashtu se pavarësisht që e cilëson të dëmshme dhe politike, ai do të përgjigjet pozitivisht ftesës së Gjykatës Speciale.

“Këto do të jenë dëme shumë të mëdha që do t’i bëhet Kosovës. E kam thënë edhe më herët se kjo është politike. Pavarësisht kësaj unë do t’i përgjigjem kësaj Gjykate. Të gjithë e dimë kush ka bërë krime këtu në Kosovë. Sa e sa masakra ka ndodhur në Kosovë nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe. Unë e kam quajtur politike, për shkak se derisa kanë kaluar që 20 vjet, dhe UÇK-ja është njohur ndërkombëtarisht dhe Kosova e ka fituar lirinë edhe për shkak të Luftës Çlirimtare. Kjo është e anshme, sepse kjo Gjykatë është vetëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Buja, i cili për disa vite ishte edhe kryetar i Komunës së Lipjanit, i ka fajësuar edhe deputetët e Kuvendit, të cilët e votuan ligjin për formimin e Gjykatës Speciale.

“Paraqitja që po merren individët është e qëllimshme dhe politike. Këta që po merren nuk janë individë, por janë udhëheqës të luftës. Kjo është jashtë çdo norme edhe ndërkombëtare”, ka përfunduar ai.

Deri tani ftesa nga Gjykata Speciale kanë pranuar edhe ish-komandantët e tjerë Rrustem Mustafa (Zona Operative e Llapit), Sokol Dobruna (Gjykata ushtarake e UÇK-së), Sami Lushtaku (Zona Operative e Drenicës) e Nazif Mehmeti (një nga komandantët në Zonën Operative të Llapit) dhe disa nga fytyrat qëndrore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.