Rajoni

Shuarja e mediave, pasojë e mungesës së transparencës financiare

Mënyra e funksionimit dhe e shuarjes së televizionit 1TV, por edhe e disa mediave tjera, në veçanti e portaleve që pretendojnë se kryejnë veprimtari gazetareske, ka ngritur sërish nevojën për ndërmarrjen e masave për vendosjen e rregullit në sferën mediatike.

Televizioni 1TV, të enjten e kaluar, përfundimisht ka ndërprerë transmetimet pas funksionimit njëvjeçar të përcjellë me skandale jo të pakta. Në fakt, në opinion përflitej se drejtuesit e kësaj media përmes shantazheve të ndryshme siguronin burime financimi, ndërkohë që drejtori joformal, Bojan Jovanovski, publikonte në vazhdimësi fotografi me drejtuesit më të lartë shtetërorë dhe me kryeprokuroren speciale, Katica Janeva. Në rastin “Reketi”, Jovanovski paraqitet si dyshuari kryesor në zhvatjen e 1.5 milionë euro nga afaristi, Orce Kamçev.

Denoncime të ngjashme ka pasur edhe afaristë të tjetër, por ende nuk janë bërë të ditur për opinionin.

Njohësit e çështjeve të mediave, thonë se mediat gjatë funksionimit të tyre duhet të kenë pronësi të qartë, sikur edhe burime të financimit që të mos vijnë në situatë sikur në rastin me 1TV.

“Konsideroj se në përgjithësi për funksionimin e drejtë të një media me rëndësi është që të ketë pronësi transparente dhe burime transparente të financimit. Sikur kjo të respektohet konsideroj se gjasat për të funksionuar si media janë të garantuara. Çdo shoqëri demokratike ka nevojë për media të pavarura dhe profesionale, pasi janë vendimtare në përcjelljen e fjalën së lirë dhe forcimin e demokracisë”, thotë Dragan Sekullovski nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Ai thotë se gjendja në rastin konkret nuk është aspak e mirë pasi shumë gazetarë e punonjës të tjerë kanë mbetur në rrugë.

“Shuarja e mediave është mesazh i keq për gjendjen në sferën e informimit. Kjo reflektohet edhe te punonjësit, pasi të gjithë ata mbeten pa punë. Shumë prej tyre as që kanë qenë të vetëdijshëm, kjo mund të ndodhë dhe tani kanë mbetur nën mëshirën e mediave tjera, nëse do t’i marrë ose jo dikush në punë”, thotë Sekullovski.

Duke komentuar rastin me televizionin 1TV, Fejzi Hajdari, drejtues i gazetës “Lajm”, thekson:

“Mendoj se mbyllja e çdo mediumi në parim është humbje për demokracinë dhe lirinë e mediave në çdo vend, mirëpo në rastin e 1TV një vlerësim më i kompletuar mund të jepet vetëm pasi të zbardhen dyshimet për pronarin e kësaj media, që siç dihet ndodhet në paraburgim”, thotë Hajdari.

Ai thotë se gjendja me mediat në Maqedoninë e Veriut ka ndryshuar në krahasim me periudhën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit, por jo në nivelin e dëshirueshëm, pasi siç thotë, ende media që ai drejton po paditet në instancat gjyqësore nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

“Në përgjithësi kemi një përmirësim sa i përket qasjes së qeverisë në krahasim me qeverinë e mëparshme, por bëhet fjalë për përmirësim që nuk është në nivelin që pritnim, apo aq sa ka nevojë, sipas standardeve evropiane. Këtu do të përmendi rastin me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, i cili pasi ka humbur kontestin gjyqësor kundër gazetës ‘Lajm’ në Gjykatën Themelore dhe në atë të Apelit, rastin e ka ankimuar në Gjykatën Supreme. Pikërisht për shkak të presioneve dhe kërcënimeve, gazeta ‘Lajm’, ishte pjesë e raportit e Departamentit amerikan të Shtetit për fjalën e lirë”, thotë Hajdari.

Ndryshe, gjendja me mediat në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi ka nxitur diskutime për shkak të presioneve në periudhën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit, duke e radhitur vendin në grupin e shteteve me liri të kufizuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.