SPORT

Shtyrja e Lojërave Olimpike komplikon edhe më tej kalendarin sportiv

Vendimi për të shtyrë Lojërat Olimpike “Tokio 2020” për një vit, pritet të ngarkojë edhe më tej kalendarin sportiv global, i cili tashmë thuajse është shkatërruar nga pandemia e koronavirusit.

Pas disa javësh spekulime dhe kritikave të vazhdueshme për vonesën e njoftimit për shtyrje të Lojërave Olimpike, Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe dhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach u dakorduan se kjo ngjarje duhet të shtyhet më së largu deri në verën e vitit 2021.

Kampionati Botëror i notit i vitit 2021 i caktuar për t’u mbajtur prej 16 korrikut deri më 1 gusht në Fukoka të Japonisë, duket se do të jetë “viktima” e parë e kësaj lëvizjeje, raporton Reuters.

“Tani do të punojmë me komitetin organizator të Kampionatit Botëror FINA 2021 në Fukuoka, me Federatën e Notit në Japoni dhe me autoritetet publike japoneze, në mënyrë që të përcaktojmë fleksibilitetin rreth datave të garës, nëse është e nevojshme dhe në marrëveshje me IOC”, thuhet në një komunikatë të Bordit të FINA-s.

Kampionati Botëror i Atletikës, që është në program për vitin 2021, është gjithashtu i sigurt që do të shtyhet pasi organizatorët thanë se do të zhvendosnin ngjarjen për të akomoduar Olimpiadën e planifikuar.

Ky kampionat do të duhej të zhvillohej në Oregon prej 6 deri më 15 gusht.

Dy ngjarje të mëdha të futbollit për shkak të koronavirusit tashmë janë zhvendosur për vitin e ardhshëm para vendimit për Olimpiadën.

Javën e shkuar u vendos që “Euro 2020” dhe Copa America të shtyhen për vitin tjetër. Të dy garat kontinentale do të fillojnë më 11 qershor dhe do të përfundojnë më 11 korrik. Ky vendim ndikoj në shtyrjen për kohë të pacaktuar të Botërorit të klubeve në kuadër të FIFA-s, ndërsa Kampionati Evropian i femrave që duhej të mbahej vitin tjetër në Angli, gjithashtu do të zhvendoset në një datë tjetër që ende nuk është konfirmuar, pasi do të përplasej me “Euro 2020” që pritet të zhvillohet në 12 shtete.

Shtyrja e Olimpiadës, e cila përfshin futbollin e meshkujve dhe femrave, do të thotë që Evropiani i femrave nuk mund të zhvendoset për muajin gusht dhe ka shumë gjasa që kjo ngjarje të shtyhet për verën e vitit 2022.

Ndikim mund të ketë gjithashtu edhe në Ligën e Kombeve të UEFA-s për vitin 2021 dhe Gold Cup të CONCACAF-it.

Ngjarje të tjera të vitit 2021 që përfshijnë sportistë të lidhur me Lojërat Olimpike që do të preken nga shtyrja e Lojërave të Tokios janë kampionati botëror i boksit në New Delhi, kampionati i kombeve “EuroHockey” në Holandë në gusht dhe kampionatin evropian i basketbollit, në shtator.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.