EKONOMI

Shtyrja e implementimit të +383 për shkak të marrëveshjeve ndërkombëtare

Marrëveshjet ndërkombëtare me operatorët e ndryshëm nga bota, për komunikim me kodin e ri telefonik, duket të jenë arsyet kryesore të operatorëve Vala si dhe IPKO për shtyrjen e afatit për implementimin në tërësi të kodit të ri.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka shtyrë afatin e implementimit të kodit të ri +383 deri në fund të tetorit të këtij viti. Shtyrja sipas zyrtarëve të ARKEP-it ishte bërë me kërkesë të operatorëve Telekomi, përkatësisht Vala dhe Ipko, pa dhënë shumë detaje. Kurse vet zyrtarët e operatorëve telefonikë, për Radio Kosovën kanë sqaruar arsyet e kërkesave të tyre për shtyrje.

Zëdhënësi i Telekomit Arsim Bilalli, tha se deri në fund të tetorit, do të nënshkruhen kontrata Roaming me të gjithë operatorët ndërkombëtarë që aktualisht kanë marrëveshje përmes Monako Telekomit.

“Duhet potencuar edhe faktin tjetër se kodi i ri telefonik do t’i mundësojë Telekomit të Kosovës administrim shumë më të mirë të raporteve kontrektuale me operatorët tele-komunikues anë e kënd botës duke siguruar kualitet më të mirë të shërbimeve dhe ulje të kostove operative”, theksoi Bilalli.

Marrëveshjet ndërkombëtare duket të jenë edhe arsyet e kërkesës për shtyrje nga ana e operatorit tjetër privat IPKO.

Zëdhënësja Edona Zogu tha se IPKO është teknikisht e gatshme që të migrojë tërësisht në kodin e ri shtetëror telefonik, megjithatë ekziston një pengesë.

“E vetmja pengesë për momentin është që operatorët e ndryshëm në vendet e ndryshëm të botës, ende nuk e kanë hapur rangun për kodin e ri telefonik, që i bie se ende nuk i kanë bërë ndryshimet në rrjetin e tyre për kodin e ri telefonik +383. Në mënyrë që klientët tanë të jenë të qasshëm ne kemi kërkuar duke sugjeruar shtyrjen e afatit në mënyrë që klientët tanë të jenë të qasshëm nga të gjithë operatorët nga bota”, tha Zogu.

Kodi i ri telefonik dhe marrëveshjet e reja me operatorë ndërkombëtarë, sipas zyrtarëve të dy kompanive, do të reflektojnë edhe në çmimin e shërbimeve për konsumatorët.