KULTURË

Shtyhet konkursi për drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës me 11 kandidatë në garë

 Janë 11 kandidatë që ia kanë mësyrë garës për ta udhëhequr Muzeun Kombëtar të Kosovës. Por këtij numri mund t’i shtohen edhe të tjerë, pasi afati i konkursit publik që ishte mbyllur në ditën e 11-të të këtij muaji, është zgjatur edhe për një javë.

Sipas listës që posedon gazeta, konkursit që është hapur pas dështimit të atij të brendshëm, ia kanë mësyrë: Izet Miftari, Ajet Leci, Sadik Krasniqi, Arsim Mehmeti, Sedat Sahitaj, Naim Çekaj, Bekim Vishaj, Bekim Gashi, Arben Arifi, Fatmir Hoxha e Ismet Mulaj.

Konkursi që ishte hapur më 27 qershor është dashur që të mbetet i hapur për një javë më shumë shkaku i mosplotësimit të disa kushteve ligjore.

“Afati i konkurrimit është shtyrë edhe për një javë pasi nuk është plotësuar kriteri etnik dhe ai gjinor”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi.

Paraprakisht Ministria e Kulturës nuk ia ka dalë që ta bëjë me drejtor Muzeun Kombëtar të Kosovës nëpërmjet një konkursi të brendshëm pasi, sipas këtij institucioni, nuk i kishin plotësuar kushtet e së paku tre kandidatëve nga katër sa kishin konkurruar . Muzeu është pa drejtor që nga korriku i vitit të kaluar.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.