Bota

Shtyhen zgjedhjet anekënd globit si shkak i pandemisë

Koronavirusi ka prekur jetën e përditshme anembanë botës, duke mos lënë vend pa e prekur.

Në disa shtete, virusi ka krijuar kriza të thella politike, përderisa në disa shtete qeveritë kanë vendosur që t’u japin hapësirë më të madhe shkencëtarëve për t’i mbajtur të informuar qytetarët e tyre në kohën kur po merreshin masa për parandalimin e përhapjes së virusit me kurorë. Por derisa të zbulohet vaksina, shumë politikanë janë të shqetësuar se mund të ketë dalje masive e në turma të qytetarëve në hapësira publike për qëllime të ndryshme, duke sfiduar kështu shtetet që kishin planifikuar mbajtjen e zgjedhjeve sivjet. Megjithëse në disa shtete mund të shkohet me procesin elektoral, të tjerat si Polonia po e kanë të vështirë të sigurojnë zgjedhje të lira dhe të sigurta kur të vendosen kutitë e votimit në ndërtesa të ndryshme publike.

Si rezultat i kësaj, shumë shtete i kanë shtyrë zgjedhjet ose i kanë anuluar nga frika se mund të vihet në rrezik shëndeti publik, por ka vende që procesi është frenuar për arsye e qëllime të pastra politike. Sipas një hulumtimi të Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Elektorale, së paku 56 shtete i kanë shtyrë zgjedhjet kombëtare ose rajonale për shkak të pandemisë së virusit. Më poshtë janë të gjitha shtetet që kanë shtyrë procesin e votimit, dhe implikimet nga vendimi për disa prej shteteve kyç anembanë botës.

Ndikimi në presidencialet amerikane

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në kulmin e fushatës së presidencialeve të sivjetme. Megjithëse ende nuk është ndryshuar data e ditës finale të zgjedhjeve më 3 nëntor 2020, zgjedhjet paraprake në disa shtete dhe territore amerikane janë shtyrë pse janë zhvilluar nëpërmjet votimit postar. Dhe në këtë kohë ka përplasje ndërmjet demokratëve në opozitë dhe republikanëve në pushtet për kohën e zgjedhjeve në territore të caktuara, sidomos për ato që janë kritike për të siguruar sa më shumë elektorë në Kolegjin Elektoral, numri i të cilëve përcakton edhe emrin e presidentit për mandatin e ardhshëm në Shtëpinë e Bardhë.

Dhe ka shtete, si Alaska, Connecticut, Delaware, Gjeorgjia, Havai, Kentucky, Louisiana, Maryland, Neë Jersxey, Ohio, Pennsylvania, Rhode Island, Virxhinia Perëndimore, Wyoming Guam dhe Puerto Riko, që i kanë shtyrë zgjedhjet. Shtetet e Bashkuara janë përballur muajve të fundit me krizën më të madhe të koronavirusit.

Serbia drejt zgjedhjeve pa liri shtypi

Kilianët po protestonin në rrugë për muaj me radhë për të dalë në referendum për Kushtetutën e re, por pandemia ka mbajtur pezull shpresat e protestuesve. Referendumi, i cili ishte menduar të votohej në nëntorin e kaluar, planifikohej të mbahej më 26 prill, por tashmë është shtyrë për 25 tetor për shkak të koronavirusit.

Serbi u shtrëngua t’i shtynte zgjedhjet e 26 prillit për 21 qershor. Shteti ballkanas ka konfirmuar dhjetë mijë raste prej përhapjes së virusit në këtë vend. Rasti i parë u konfirmua më 6 mars, por me kalimin e kohës Beogradi zyrtar njoftoi se shteti serb kishte shkallë më të lartë të rasteve krahasuar me vendet fqinje. Presidenti Aleksandar Vuçiq kontrollon shumicën e mediumeve dhe portaleve në këtë vend dhe akuzohet se po shtyp lirinë e shprehjes. Ai pritet t’i fitojë zgjedhjet. Madje, ka akuzuar Evropën se “nuk ekziston solidariteti në Evropë”.

Zgjedhjet janë shtyrë edhe në Spanjë. Qeveritë lokale të Galicisë dhe Rajonit Bask kanë shtyrë zgjedhjet për shkak të koronavirusit. Spanja ka pasur një prej krizave më të mëdha shëndetësore në Evropë për shkak të koronavirusit. Spanja vetëm ditëve të fundit ka nisur zbutjen e masave që pritet të mbahen edhe në qershor.

Zgjedhjet janë shtyrë edhe në Republikën Dominikane, që ishte menduar të mbaheshin më 17 maj, por pritet të organizohen më 5 korrik pas konsultimit të 22 partive politike në vend. Vendi edhe ashtu po përballej me telashe për shkak të përdorimit të sistemit të ri elektronik të votimit. Në këtë shtet ka pasur edhe protesta masive kundër elitës politike në pushtet.

Edhe luftë, edhe krizë shëndeti

Në fillim të majit, presidenti i Sirisë së zhytur në luftë civile prej vitit 2011, Bashar Al-Assad, nxori një dekret me të cilin shtyhen zgjedhjet parlamentare për të dytën herë, më 19 korrik. Dhe në dekret thuhej se vendimi ishte pjesë e “masave parandaluese” në luftën kundër koronavirusit. Fillimisht ishte menduar që në vendin e trazuar të Lindjes së Mesme, zgjedhjet të mbaheshin më 20 maj. Por pastaj doli qëndrimi për shtyrje për një datë tjetër.