EKONOMI

Shtrenjtimi i dyshimtë i derivateve në Kosovë injorohet nga autoritetet

Mohohet kategorikisht nga naftëtarët, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka dyshime, çmimet e derivateve po ‘fluturojnë’, derisa xhepi i qytetarëve të Kosovës, vazhdon të rëndohet. A ekzistojnë dyshimet se në Kosovë po funksionon një kartel i ri në tregun e derivateve…? Syri.net Kosova ka marrë mendimin e naftëtarëve, organit kontrollues të konkurrencës dhe njohësit të ekonomisë.

Prej momentit kur pandemia goditi Kosovën në mars të vitit të kaluar, kosovarët u përballën edhe me çmimet e ulëta të derivateve. Ato pësuan rënien më të ulët që nga paslufta, 0.67 deri 0.70 cent në litër.

Por me t’u hapur ekonomia, çmimi i derivateve në vend ka filluar të ngritën. Tani ka kaluar vlerën prej 1 euro për litër, ndërsa ngritja më e madhe është vërejtur në dy javët e fundit.

Ajo që mbetet shqetësuese është fakti që shumë kompani që merren me shitjen e derivateve, po vazhdojnë të kenë çmime të njëjta, duke hedhur dyshimet edhe njëherë për ekzistencën e një karteli brenda tregut kosovar.

Si pasojë e manipulimeve, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës në 2020, kishte marrë vendim që për shkak të shkeljes së dispozitave të konkurrencës në treg, 14 kompani të gjobitën prej mbi 4 milionë euro.

AKK kishte llogaritur edhe dëmin që këto kompani u kishin shkaktuar konsumatorëve, por ato nuk i pamë me sy asnjëherë.

Se kjo gjobë nuk ia ‘la shenjë’ naftëtarëve tregon fakti që disa prej kompanive edhe sot hedhin dyshime se një manipulim me çmime po ndodh sërish.

Kështu deklaron për Syri.net Kosova, pronari i njërës prej pikave konkurruese në vend pa dashur të i përmendet emri (emër i njohur për redaksinë), i cili hedh dyshime se konkurrentët në treg kanë marrëveshje mes vete.

Syri.net, ka kontaktuar kryetarin e Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi lidhur me këto dyshime.

Prestreshi, tha se monitorimet e çmimeve AKK i bënë vetëm atëherë kur janë dyshimet e bazuara se mund të ketë ndonjë marrëveshje të ndaluar apo edhe abuzim me pozitën dominuese.

“Në baza ditore, javore dhe mujore, Institucioni i AKK-së në një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, monitorimin e çmimit në mënyrë strikte nuk mund ta bëjë sepse pastaj rrezikohet që t’iu kthehemi politikave recidiviste apo të një ekonomie të planifikuar”.

Lidhur me këto dyshime, Syri ka kontaktuar edhe me kryetarin e Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjanin.

Berjani, ka insistuar se në tregun kosovar nuk ka ‘kartel’ dhe  Kosova funksionon me ekonomi të lirë të tregut.

Berjani, poashtu ka bërë të ditur se në Kosovë çmimi i Dizelit sillet nga 0.97 cent deri në 1.05 cent, Benzina 1 euro deri 1.07 cent, derisa deklaron se në import ka pas rritje, ndërsa në pakicë është shënuar një rritje e lehtë.

“Sipas organizatës prodhuese OPEC ,pasi që prodhimi është reduktuar pritet të ketë rritje më të theksuar  të derivateve. Sa i përket çmimeve në rajon, sot në Shqipëri çmimet sillen Dizell 1.29 cent, Benzina 1.30 cent.  Qytetarët e Kosovës janë duke u shërbyer me çmimet më të ultë në regjion, përveç Maqedonisë Veriore që e ka akcizën më të ulët për 0.22. Cent”.

Ky disbalanc i çmimeve të derivateve, e në disa pika shitjeje të njëjta, për njohësin e ekonomisë Jakup Bellaqa ndodh në mungesë të një rregullatori në vend.

Në mungesë të një rregullatori për derivate ndodh edhe ngritja e çmimeve, dhe krijohet një kartel që është e ndaluar me ligjet në fuqi në Kosovë.

Bellaqa për Syri.net Kosova, deklaron se në këto raste duhet të ishte e rrugës dhe e ligjshme që të intervenojë Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës, si organ përgjegjës për një konkurrencë të ndershme dhe fer, sepse ka monopol në treg dhe përkeqësim dhe çoroditje të tregut.

Ai thekson se, në këto raste më së shumti dëmtohet xhepi i konsumatorit duke krijuar çmime jo stabile, por tarifa astronomike dhe jo sipas rajonit.

“Andaj, do të duhej të ketë shtet minimal dhe tregti  të lirë, ku tregu duhet të jetë në epërsi dhe oferta me kërkesën duhet të ekujlibrohet”.

Syri.net Kosova, ka provuar të kontaktoj edhe me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.