Kosova

Shteti i fajdeve

16 mijë e 500 euro i duheshin një qytetari të Prishtinës që të paguante obligim financiar. Pa ndonjë rrugëzgjidhje sipas dosjes se hetuesisë, ky qytetar kishte marrë me fajde këtë shumë.

Një gjë e tillë i ka sjellë atë dhe familjen e tij para disa muajsh buzë shkatërrimit të plotë financiar. Në emër të vonesave të kamatës për 16 mijë e 500 euro, ky qytetar ka paguar 50 mijë euro, shkruan sot Koha Ditore. Megjithatë, për fajdexhinjtë kjo shumë nuk ka mjaftuar për ta konsideruar borxhin e shlyer.

Në emër të kamatës së fajdesë këtij qytetari i është marrë edhe një dyqan në vlerë të dhjetëra mijëra eurove. Këto 16 mijë euro, ky qytetar, sipas rrëfimit të tij në hetuesi, i kishte marrë për të paguar të njëjtën shumë për një tjetër fajdexhi. Sepse fajdetë kështu funksionojnë. Nëse hyn një herë në fajde, herëve të tjera përfundon duke marrë fajde për të paguar fajdetë.

Fenomeni i fajdeve, që kryesisht ndodh si pasojë e kushteve të vështira ekonomike ose si pasojë e mungesës së parave kesh në treg, është pothuajse i amnistuar nga shteti.

Sistemi i drejtësisë ka dështuar të adresojë problemin e fajdeve. Deri në vitin 2012, të tilla raste janë trajtuar pak, për shkak që Kodi i atëhershëm Penal nuk e precizonte fajdenë si vepër penale. Zgjerimi dhe precizimi i saj në ndryshimin e Kodit Penal në vitin 2013 krijoi bazë të mirë ligjore për të ndjekur fajdexhinjtë, por realisht pak raste janë ndjekur e gjykuar për këto vite. Grupet e fajdexhinjve cilësohen grupe të fuqishme, me potencë financiare, me lidhje të mira me politikën e drejtësinë, që i bëjnë të paprekshëm. Këto i dëshmoi edhe afera me fajde e publikuar së fundmi në mediat e KOHËS.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483