Kosova

Shtetet e Kuintit kërkojnë nga Kosova ta heq taksën për mallrat serbe

Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Vendet e Kuinti-it, përmes një komunikate, kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, që siç thuhet, “është e nevojshme për të dyja vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”.

“Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal. Status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe thjeshtë nuk është e qëndrueshme. Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurt dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët”, thuhet në komunikatë.

Qeveritë e vendeve të Kuint-it, theksojnë se janë të gatshme të forcojnë rolin në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së

Megjithatë ato theksojnë se një gjë të tillë, mund ta bëjnë vetëm kur palët të japin shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve.

“Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Kosova dhe Serbia e kanë ndërprerë dialogun për normalizim marrëdhëniesh qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia.

Qeveria e Kosovës pati thënë se ky vendim është si kundërmasë ndaj fushatën se Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës.

Pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për heqjen e taksës, Kosova vazhdon ta mbajë në fuqi atë.

Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës.